Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot një konferencë për media, gjatë së cilës ka shpalosur vlerësimin mbi kualitetin e punës së Kuvendit të Kosovës përgjatë vitit 2022. Sipas KDI-së në mbi 100 seanca të mbajtura, Kuvendi ka arritur të miratojë 111 projektligje, apo 69 përqind të projektligjeve të cilat i janë sjellë për shqyrtim.
Arbër Thaçi nga KDI ka thënë se në aspektin ligjvënës, Kuvendi ka pasur një performancë mjaft pozitive.
Ndërsa, sipas KDI-së 50 projektligje ende ndodhen në procedurë të shqyrtimit.
“2022-ta vlerësohet si vit i kapitalizmit të iniciativave ligjore që ishin në pritje për tu miratuar tash e shumë vite. Pas një dekade, kjo legjislaturë përfundimisht miratoi Rregulloren e re të Punës. Gjithsesi, efekti i saj nuk ishte i vërejtshëm në kuptim të planifikimit të punimeve të Kuvendit. Organizimi i punës së Kuvendit nuk u bë sipas një planifikimi të mirëfilltë e sistematik, gjë që rezultoi në stërngarkimin e seancave, me numër të madh të projektligjeve, mos përfundimin e seancave dhe mbajtjen e disa seancave brenda një dite”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, këtë vit u miratua edhe Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike, që ishte në pritje të miratimit që nga viti 2018, e i cili avancon transparencën dhe llogaridhënien financiare të subjekteve politike.
Në mungesë të vendosjes së sanksioneve për mospjesëmarrje të deputetëve në seanca apo në proces të votimit, situatat ku deputetët munguan në seanca dhe votim kanë qenë shumë të shpeshta.
Në raportin e KDI-së thuhet se gjatë këtij viti, janë evidentuar mbi 1,700 mungesa të deputetëve vetëm në seancat plenare dhe kjo ka bërë që seancat në disa raste të dështojnë në mungesë të kuorumit. Numri i lartë i mungesave vjen edhe si rezultat i bojkotimit të punimeve të Kuvendit nga ana e deputetëve të Listës Serbe.
Sipas KDI-së bojkotimi i punës së Kuvendit nga komunitetet jo-shumicë, përveç mungesave si të tilla, ka rezultuar edhe me paralizim të disa iniciativave tejet të rëndësishme ligjore, për të cilat nevojiten votat e komuniteteve jo-shumicë.
Në anën tjetër, përpos mungesave të deputetëve në seanca, në shumë raste aty munguan edhe anëtarët e kabinetit qeveritar.
“Me një numër të madh të projektligjeve dhe temave të tjera në diskutim, debatet parlamentare nuk munguan, por që ato shpesh ishin jo-cilësore dhe jashtë temës. Në përgjithësi subjekti politik në pushtet nuk ishte shumë i hapur për të reflektuar propozimet dhe amendamentet e opozitës lidhur me përmbajtjen e projektligjeve. Kjo rezultoi në disa raste me polarizime politike dhe mospjesëmarrje të opozitës në shqyrtimin e iniciativave ligjore. Madje, për pasojë, disa nga projektligjet e miratuara u sfiduan edhe paralajmërohen të sfidohen në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.
Sipas KDI-së administrimi i seancave është parë si një element pozitiv dhe se kryetari i Kuvendit ka luajtur një rol balancues në mes kërkesave të pozitës dhe opozitës, duke amortizuar kështu përplasjet në mes tyre. Përmirësime ka pasur edhe sa i përket gjuhës dhe sjelljeve parlamentare të deputetëve. Sidoqoftë, Kuvendi ka vijuar me problemin e mos transparencës sa i përket votimeve, meqë votimi ka vazhduar të bëhet me ngritje të dorës, e jo përmes sistemit elektronik.
Në aspektin mbikëqyres, Kuvendi vazhdon të ketë performancë të ulët. Në komisionet parlamentare, vazhdon të ekzistojë një disproporcion i theksuar ndërmjet punës në shqyrtimin e ligjeve dhe monitorimit të zbatimit të ligjeve, sidomos në aspekt të shqyrtimit të mirëfilltë të raporteve të performancës së agjencioneve të pavarura. Komisioni për Buxhet, Komisioni për Ekonomi dhe Komisioni për Legjislacion janë komisionet më të angazhuara përgjatë këtij viti, ndërsa përgjatë tërë vitit janë mbajtur 300 mbledhje të komisioneve.
Kuvendi gjatë këtij viti mori një rol të rëndësishëm në procesin e reformës në sektorin e drejtësisë, konkretisht në adresimin e procesit të vetingut në drejtësi dhe themelimit të Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Për vetingun, në fund të këtij viti u formua një Komision Ad-Hoc parlamentar, i cili do të shqyrtojë amendamentet kushtetuese dhe projektligjin për vetingun. Këtu duhet vlerësuar pozitivisht vullneti politik i përbashkët mes pozitës dhe opozitës për të trajtuar këtë proces në mënyrë konsensuale. Ndërsa, sa i përket Byrosë, me iniciativë të Kryetarit të Kuvendit, projektligji është dërguar dy herë për opinion në Komisionin e Venecias. Fatkeqësisht, ky proces nuk është shoqëruar nga e njëjta frymë konsensuale sikur në rastin e vetingut.
Bazuar në vlerësimin e punës së Kuvendit për vitin 2022, KDI kërkon që sfidat që e përcollën këtë legjislaturë në këtë vit duhet të adresohen qysh në fillim të sesionit pranveror 2023.
“ Zbatimi i Rregullores së re të punës që mundëson një planifikim më të mirë të punës e mbikëqyrje më të madhe të zbatimit të ligjeve duhet të jetë prioritet. Po ashtu, KDI kërkon më shumë përgjegjësi nga deputetët për të marrë pjesë në seanca dhe për t’u përfshirë në debate të mirëfillta parlamentare që i shërbejnë ligjeve më të mira. Poashtu kërkohet funksionalizimi i votimit elektronik për të rritur llogaridhënien parlamentare”, thuhet në komunikatë.