Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për gjetjen e një fëmije nga Prizreni, i cili është i zhdukur tash e pesë ditë.
Siç bëhet e ditur, viktima është Ender Cahani 13-vjeçar dhe për herë të fundit është parë nga nëna e tij, më 8 dhjetor të këtij viti.
Nëna e viktimës në polici ka deklaruar se nuk është hera e parë që 13-vjeçari na largohet nga shtëpia, por më parë ishte kthyer prapë. Ndërsa, tani nga koha kur është larguar nuk ka asnjë kontakt me të.
“Jeta Cahani, nëna e Ender Cahanit nga Prizreni, me datë 10 Dhjetor 2022 ka raportuar në polici zhdukjen e djalit të saj të mitur. Ender Cahani, nga e ëma Jeta, lindur me datë 09.08.2009 nga Prizreni, Republika e Kosovës, për here të fundit është parë nga e ëma e tij me datë 08 Dhjetor 2022 në ora 18:20, kur ka dalë nga shtëpia dhe nëna e tij më nuk ka asnjë kontakt me të”, thuhet në komunikatën për media të policisë.
Sipas ankueses, viktima ka peshë mesatare dhe flokët të shkurtra.
“Ankuesja thotë se edhe tjetër here ka ndodhur që fëmija të largohet nga shtëpia dhe është kthyer prapë, por tani nga koha e largimit të tij nga shtëpia ajo më nuk ka asnjë kontakt”, thuhet tutje.
“Personi i raportuar si zhdukur deri me sot nuk është gjet, andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse e shohin personin (fëmijën) e njëjtë apo din diçka për vendndodhjen e tij të raportojnë Policin Rajonale në Prizren , apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë”.