Prokuroria në Prishtinë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për burrin, i cili dyshohet që vrau gruan e tij me sëpatë, mëngjesin e hershëm të së premtes në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë Laureta Ulaj. “Është dërguar kërkesa për paraburgim dhe me gjasë nesër mbahet seanca. Për më tepër drejtohuni në gjykatë”- konfirmoi Ulaj. Prokuroria në Prishtinë kishte njoftuar në lidhje me rastin e vrasjes së rëndë ku një burrë dyshohet se vrau gruan e tij në rrugën “Mark Isaku” në kryeqytet.
I dyshuari ishte paraqitur në stacionin policor “Qendra” dhe kishte deklaruar se kishte vrarë bashkëshorten e tij.
“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”- tregon prokuroria.
70-vjeçari po dyshohet për vrasje të rëndë nga prokuroria.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë”- thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë.
Sipas prokurorisë, aktualisht nga hetimet fillestare ende nuk është arritur që të zbulohet motivi i vrasjes. /Kallxo