Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 18.01.2023 në ora 15:40 Policia Rajonale e Ferizajt, përkatësisht Sektori Rajonal i Hetimeve kishte pranuar një informacion se në rrugën “Avdyrrahim Shehu” në Kaçanik kishte ndodhur një rast i vjedhjes së rëndë.
Policët e rendit, e më pas policët hetues dhe krim-teknikët e Sektorit Rajonal të Hetimeve i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe nën autorizim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kishin nisur hetimet.
Nga hetimet e para është mësuar se nga personi/persona të panjohur nga dritarja e katit të parë kishin depërtuar me forcë brenda në shtëpi dhe sipas ankuesit, pronarit të shtëpisë, i cili ishte në Angli, nga aty ishin vjedhur para prej 36-37 mijë funte, 4-5 mijë euro dhe gjësende tjera.
“Pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, mbledhjes së provave të nevojshme, hetuesit rajonal kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin: B.C (M/K) i moshës 26 vjeçar.
Është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt, përkatësisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe pas intervistimit nga policët hetues në prani të avokatit mbrojtës ka pranuar se në bashkëkryerje me dy të dyshuar tjerë, të mitur, të cilët janë në paraburgim për raste tjera, kanë kryer vjedhjen e rreth 40 mijë funtave angleze (rreth 45 mijë euro), një sasi të stolive të arit, një televizor dhe disa mjete pune”, thuhet në njoftim.
Me vendim të prokurorit të rastit i dyshuari B.C dërgohet në mbajtje për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë”, për të vazhduar me procedura tjera hetimore ndaj dy të dyshuarve tjerë.