Live

KMDLNJ i reagon Mehajt: Ku do t’i strehosh 5 mijë refugjatët nga Ukraina?

13:22 / 15 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut-KMDLNJ, sot ka bërë të ditur se premtimi i ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj për strehimin e së paku 5000 refugjatëve nga Ukraina në Kosovë është më shumë premtim politik. Kjo sipas KMDLNJ-së, për faktin se Kosova nuk ka as mundësi materiale e as logjistike për strehimin e një numri aq të madh të refugjatëve “aq më parë që nuk dihet se kur do të përfundojë lufta në Ukrainë”.

KMDLNJ ka potencuar se Kosova, përveç bazave ushtarake që janë përdorur më herët nga KFOR –i, nuk ka kapacitete për të vendosur një numër prej 5000 refugjatëve për një kohë të gjatë.

“Refugjatët eventualë nga Ukraina duhet të kenë kushte të mira materiale për vendosje, shërbim shëndetësor cilësorë, shkollim në të gjitha nivelet në gjuhën e tyre apo në gjuhën që e kuptojnë, siguri fizike, asistencë materiale, liri të lëvizjes dhe shërbime tjera të domosdoshme e që Kosova, pa ndihmën e ndërkombëtarëve dhe agjencive të specializuara për refugjatë si UNHCR –i, IOM –i, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe të tjera, e ka thuaja të pamundur ta bëjë këtë. Jo shumë moti në Kosovë kishte vërshime në disa rajone të Kosovës, me dëme të konsiderueshme materiale me ç’rast një numër i familjeve u detyrua të kërkojë strehim të përkohshëm (kryesisht te familjarët e afërm) dhe Kosova nuk pati kapacitet të kujdeset për ta, madje as me intervenime emergjente e tash, po kjo Kosovë, përmes minitrit Mehaj premton strehimin e, së paku 5000 mijë shtetasve refugjatë nga Ukraina.”, është bërë e ditur në komunikatë.

KMDLNJ deklaratën e ministrit Mehaj e ka konsideruar të papërgjegjshme, të parealizueshme dhe të dëmshme.

“Vendosja e 5000 refugjatëve nga Ukraina pamundësohet për shkaqe ekonomike dhe politike aq në parë që në planin politik kundërshtohet nga serbët lokal dhe se Ukraina nuk e njeh Kosovën si shtet! Aspekti humanitar në Kosovë është relativizuar shumë sepse as qytetarët e Kosovës nuk trajtohen krejtësisht si duhet në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, për shkaqe ekonomike, në radhë të parë, dhe shkaku se jemi të izoluar dhe privuar nga e drejta elementare e njeriut për shkak të mos liberalizimit të vizave që po kushtëzohet me lëshime politike. Për qa kohë sa të jetë Armend Mehaj minister i Mbrojtjes duhet të kujdeset për mirëqenien e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, që ata të mos largohen nga FSK, të rrisë kapacitetet profesionale dhe mbrojtëse e jo të merret me luftën e Ukrainës për të cilën askush nuk e pyet asgjë dhe nuk ka asnjë ndikim. Lërini përrallat!”, është bërë e ditur tutje në komunikatën e KMDLNJ-së.

Ndryshe, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se dje ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Mehaj, i cili në Bruksel ka marrë pjesë në takimin e nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ku pjesëmarrëse kanë qenë 54 shtete, ka bërë të ditur se Stoltenbergut i ka shprehur gatishmërinë që në çdo kohë në Kosovë të strehohen 5000 refugjatë ukrainas.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...