Live

Kodi i ri i Procedurës Penale shkakton konfuzion në Gjykatë

15:39 / 22 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Kodi i ri i Procedurës Penale i cili hyri në fuqi më 17 shkurt të këtij viti, ka shkaktuar konfuzion në Gjykatë.

Një diskutim mbi atë se a është e detyrueshme angazhimi i avokatit në rastet kur i dyshuar është personi për vepër penale “Keqperdorim i detyrës zyrtare” shkaktoi konfuzion, por që në fund u konkludua se seanca duhet të shtyhet, meqenëse sipas Kodit të Ri angazhimi i avokatit në veprat ku denimi parashihet 5 vjet e mbi, është i obligueshëm.

Për shkak të dilemave se a është mbrojtja e detyrueshme për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare” sipas Kodit të Ri të Procedurës Penale, ka pasur diskutime mes prokurores Bukurie Gjonbalaj dhe gjykatësit Kushtrim Shyti në gjykimin ndaj Jakup Tërnaves, ish-drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë Kosovës dhe të tjerëve të akuzuar për korrupsion.

Në këtë rast, Jakup Tërnava, drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës, së bashku me Liridona Mustafa-Sadikun, Ejup Gërgurin dhe Fehmi Mustafën, po akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo të autoritetit zyrtar”, kurse i akuzuari Bekim Sabedini po akuzohet për “Legalizim të përmbajtjes së rreme” dhe “Falsifikim të dokumenteve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas nenit 56, paragrafit 1.3 të Kodit të Ri të Procedurës Penale, ku përcaktohet mbrojtja e detyruar thuhet se: “I pandehuri duhet të ketë mbrojtës në këto raste: 1.3. nga momenti i marrjes në pyetje për herën e parë për vepër penale të dënueshme me të paktën pesë (5) vjet burgim;”.

Lidhur me këtë çështje, është diskutuar pasi që gjykatësi Shyti konstatoi se ishin plotësuar kushtet për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor për këtë rast.

Në këto rrethana, prokurorja Gjonbalaj ka reaguar duke thënë se për veprën penale për të cilën po akuzohen Liridona Mustafa-Sadiku dhe Ejup Gërguri të cilët ishin pa avokat në këtë seancë, mbrojtja është e detyrueshme sipas Kodit të Ri.

Lidhur me këtë, gjykatësi Shyti tha se e kishte shikuar Kodin e Ri të Procedurës Penale dhe duke pasur parasysh se kjo vepër penale është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vite, sipas tij e kishte kuptuar që mbrojtja nuk është e detyrueshme.

Ndërsa, prokurorja Gjonbalaj tha se edhe ajo kishte pasur dyshime lidhur me këtë çështje, por që më pas këtë ia kishin sqaruar në trajnimin për risitë e Kodit të Ri.

Sipas saj, mbrojtja është e detyrueshme kur vepra penale është e dënueshme 5 vite e më shumë, andaj tha se e sheh të arsyeshme që ta informojë gjykatën se në atë trajnim edhe vet Admir Shala kishte thënë se “Po prokurore kena gabu me vet faktin që prej Kodit në fuqi janë 130 e sa vepra penale për të cilën e kanë mbrojtjen e detyrueshme”.

Kurse gjykatësi Shyti i është drejtuar të akuzuarve se “Vepra për të cilën ju akuzoheni është e dënueshme 6 muaj deri në 5 vjet, nuk është së paku 5 vjet, të paktën unë e kuptoj që vepra duhet të jetë e dënueshme 5 vjet, ka interpretim, ka koleg të mi gjyqtar, prokuror që mendojnë qysh mendoj unë”.

Ndërkaq pas kësaj, të akuzuarit Gërguri dhe Mustafa-Sadiku deklaruan se duan të angazhojnë mbrojtës me shpenzime personale dhe për këto arsye seanca e sotme ka dështuar të mbahet.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale u caktua të mbahet me 10 mars 2023.

Shpërndaje në

U Kopjua