Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca ka pritur në takim drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), Nancy Soderberg.
Në takim u bisedua për projektet e deritanishme të NDI-së dhe aspektet e zgjerimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në të ardhmen, me fokus në fushën e transparencës, hulumtimeve parlamentare dhe ngritjen e kapaciteteve ligjvënëse, sipas deklaratës për media të Kuvendit.
Në takim gjithashtu u nënshkrua edhe memorandumi i mirëkuptimit në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe NDI-së në Kosovë në lidhje me themelimin e Institutit Parlamentar, avancimin e mbikqyrjes dhe transparencën në Kuvend.
Me këtë rast, Konjufca shprehu mirënjohje për rolin dhe kontributin e çmuar të NDI-së në drejtim të konsolidimit dhe forcimit të kapaciteteve legjislative dhe institucioneve demokratike shtetërore, duke ritheksuar gatishmërinë e Kuvendit për intensifikimin e bashkëpunimit. Ai vuri në dukje se “në sajë të bashkëpunimit të ngushtë të stafit të Kabinetit dhe të NDI-së është arritur mbështetja më e madhe deri më tani për Kuvendin nga ky Institut dhe USAID”.
Qëllimi i përgjithshëm i memorandumit është të fuqizojë barazinë gjinore, qeverisjen llogaridhënëse dhe integritetin e informacionit.
Sipas njoftimit të Kuvendit, ky projekti synon të ofrojë asistencë teknike të bazuar në hulumtim dhe në formë strategjike t’i kontribuojë përkrahjes së avancimit të gjithëpërfshirjes, lidershipit politik të grave, të avancojë shërbimet profesionale të Kuvendit, transparencën parlamentare dhe mbikëqyrjen e ekzekutivit.