Live

Konjufca: Diversiteti, vlerë e çmueshme e vendit tonë

17:08 / 14 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me deputetët Fridon Lala dhe Agon Batusha, priti një grup të rinjsh nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian nga organizata VoRAE.

Gjatë bashkëbisedimit, kryeparlamentari Konjufca tha se vetëm duke qenë të gjithë së bashku, duke i bashkuar forcat për t’i arritur qëllimet e përbashkëta, Kosova mund të jetë më e sigurt dhe mund të ecë më shpejt drejt rrugës euroatlantike, njofton zyra për media e kryeparlamentarit.

Po ashtu, Konjufca tha se ‘shteti i Kosovës në bazamentin e vet e ka një vlerë shumë të çmueshme, e kjo vlerë është diversiteti i popullit’.

“Qëllimet tona të përbashkëta janë shumë më të rëndësishme se sa dallimet që mund t’i kemi gjatë jetës së përditshme. Pra, kjo është bota e shekullit XXI dhe kështu duhet ta ndërtojmë Kosovën”, tha kryeparlamentari Konjufca.

Duke i falënderuar për angazhimin e tyre në shoqëri, i pari i Kuvendit premtoi se do të jetë partner në çdo qëllim dhe përpjekje fisinike që kanë si qytetarë të Kosovës.

Më pas, edhe deputetët Fridon Lala dhe Agon Batusha bashkëbiseduan me të rinjtë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. ​

Shpërndaje në

U Kopjua