Sot, në ditën e tretë të vizitës zyrtare në Strasburg, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, zhvilloi takime të frytshme me disa delagacione të shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), grupe politike dhe udhëheqës të komiteteve.
Kreu i Kuvendit takoi kryesuesin e delegacionit francez në APKE, Bertrand Bouyx, të shoqëruar nga anëtarët e delegacionit francez, kryesuesin e delegacionit turk, Ahmet Yildiz, të shoqëruar nga anëtarët e delegacionit turk, zv.udhëheqësen e Grupit Socialist, Demokrat dhe të Gjelbërit, Selin Sayek Böke, kryesuesen e Komitetit për Barazi dhe mosdiskriminim, Mariia Mezentseva, si dhe kryesuesin e Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut, Damien Cottier.
Duke i falënderuar për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës ndër vite dhe për ndërmarrjen e hapave që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, kryetari Glauk Konjufca i njoftoi bashkëbiseduesit me të arriturat e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare.
Në këto takime u shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për tema të tjera me interes dhe për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, ndërsa temë e veçantë e diskutimit ishte procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Kosova mori vëmendje të posaçme dhe mbështetje të theksuar nga eurodeputetët për anëtarësim”, shkruan në njoftimin e Kuvendit.