Live

Konjufca nis vizitë disaditore në SHBA, priten takime me përfaqësues të lartë të Kongresit dhe DASH-it

23:10 / 27 Mars 2023

Nga Kosova Live

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nisur kështu vizitën e tij disaditore e cila realizohet me ftesë të Kongresit Amerikan.

Siç bëhet e ditur, atje kryeparlamentari pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të Kongresit Amerikan dhe të Departamentit të Shtetit, transmeton klankosova.tv.

Gjithashtu Konjufca pritet të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci, dhe në disa evente të tjera.

Glauk Konjufca në SHBA

Këtë e ka bërë të ditur shefi i kabinetit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli.

”Sot, me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, filluam vizitën zyrtare disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila realizohet me ftesë të Kongresit Amerikan.

Kryetari Konjufca do të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci, që do të mbahet më 28-30 mars, si dhe në pritjen që Partneriteti për Demokraci i Dhomës së Përfaqësuesve (HDP) do të organizojë për lidershipin dhe deputetët e parlamenteve të shteteve partnere të HDP-së dhe shteteve të tjera.

Krahas pjesëmarrjes në aktivitetet e Samitit, është paraparë që Kryetari i Kuvendit të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të Kongresit Amerikan dhe të Departamentit të Shtetit, si dhe me përfaqësues politikë të shteteve të tjera, duke përfshirë edhe ato që nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës”.

Shpërndaje në

U Kopjua