Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u takua të hënën në Shkup me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Ndër të tjera, ai tha se veprimet e Serbisë e Kosovë janë të papranueshme dhe sipas tij, Serbia po përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe rajonin.
Sipas Konjufcës, rajoni nuk është imun as ndaj influencave ruse.
“As rajoni ynë nuk është krejtësisht imun prej influencave të Rusisë. Kjo vërehet sidomos në këto veprime të ditëve të fundit që po i shohim nga ana e Serbisë në Kosovë. Këto veprime të Serbisë janë të papranueshme, ato e kanë qëllim destabilizimin e Kosovës dhe ndarjen de-fakto të shtetit të Kosovës”, tha ai.
Sipas kryekuvendarit të Kosovës, veprimet e Serbisë lidhen me planin franko-gjerman për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij, në qendër e kanë njohjen de-fakto.
“Ky plan në bërthamën e vet, në qendër të vet, e ka njohjen de-fakto të Kosovës nga ana e Serbisë. Unë edhe këto veprime tash të fundit që po i bën Serbia, i shoh të lidhura me këto procese politike, sepse qëllimi i këtyre veprimeve që i shohim, është që ta pamundësojnë hapjen e këtij kapitulli përfundimtar”, tha Konjufca.
Xhaferi deklaroi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë qëllime strategjike të njëjta.
“Në lidhje me dialogun Prishtinë-Beograd, qëndrimi ynë është i njëjtë si edhe më parë, mbështetje e plotë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, të pranueshme për të dyja palët, marrëveshje me të cilën do të garantohet paqja, stabiliteti, siguria dhe përparimi i të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi”, tha Xhaferi.