Live

Kosova një hap larg KiE-së, Asociacioni kusht pas anëtarësimit

08:22 / 17 Prill 2024

Nga Kosova Live

Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti të martën raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg, shkruan Reporteri.net.

Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.

Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Evropës i ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Në një njoftim më të zgjeruar pas votimit Asambleja Parlamentare rikujton vendimin e Qeverisë për Manastirin e Deçanit të cilin e cilëson si “një përparim të madh” zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa theksohet se themelimi i Asociacionit do të ishte “hap i rëndësishëm” për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë.

Tutje Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, thekson se anëtarësimi i Kosovës në KiE do të “adresojë sfidat e jashtëzakonshme dhe çështjet shqetësuese”.

Gjithashtu duke zbuluar përmbajtjen e tekstit të votuar thuhet se Asambleja e ka ftuar Komitetin e Ministrave që të sigurojë që anëtarësimi i Kosovës të jetë “pa paragjykuar qëndrimet e shteteve anëtare individuale në lidhje me shtetësinë e Kosovës”.

“Anëtarësimi gjithashtu do të ndihmonte Kosovën që të “adresojë sfidat e jashtëzakonshme dhe çështjet shqetësuese”, theksuan parlamentarët, duke përfshirë hendekun midis standardeve normative dhe zbatimin e tyre efektiv, nevojën për të mbrojtur më mirë të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe nxitjen e një klime të favorshme. Për besimin, pajtimin dhe përfshirjen.

Asambleja e përshëndeti si “një përparim të madh” zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit, për të cilin tha se ishte “një shenjë e prekshme e përkushtimit të qeverisë për të vepruar në përputhje të plotë me sundimin e ligjit. pavarësisht nga konsideratat politike”.

Themelimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe do të ishte “një hap i rëndësishëm” për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës, dhe “duhet të përfshihet në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, si një angazhim pas anëtarësimit”.

Duke pranuar “rrethanat e paprecedentë” të aplikimit, duke pasur parasysh se një numër i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës nuk e njohin Kosovën si shtet, Kuvendi bëri thirrje për “diplomaci, dialog dhe kompromis”. Asambleja ftoi Komitetin e Ministrave që të sigurojë që anëtarësimi i Kosovës të jetë “pa paragjykuar qëndrimet e shteteve anëtare individuale në lidhje me shtetësinë e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Krerët shtetërorë të Kosovës mirëpritën vendimin e Asamblesë Parlamentare, duke e cilësuar si dëshmi të përkushtimit të shtetit për demokraci.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh optimist për një vendim pozitiv në Këshillin e Ministrave në maj. Kurti nga Strasburgu foli edhe për çështjen e Asociacionit.

Kryeministri ka thënë se Qeveria e tij nuk do që Marrëveshjen Bazike me Serbinë ta shndërrojë në mjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai nga Strasburgu ka theksuar se çështja e Asociacionit është brenda kësaj marrëveshjeje, dhe jo e kundërta.

Ai është shprehur se serbët e Kosovës kanë shumë të drejta si pakicë që përbën 4% të popullsisë, ndërsa ka shtruar pyetjen se si mund të kërkohen më shumë të drejta, kur serbët po i bojkotojnë ato që i kanë tani.

“I kemi dhjetë ulëse të rezervuara për serbët në Kuvend, gjuha serbe është gjuhë zyrtare, prej 38 komunave dhjetë janë me shumicë serbe. Politikat qeveritare tona, me ekonomi, në aspektin social, kemi bërë përpjekje dhe suksese që të integrojmë serbët. Kemi një ministër serb. Duhet si shoqëri, qeveri, si shtet, vazhdimisht të përmendim sa shumë gëzojnë pakicat serbe në Kosovë e cila është 4%. Nuk do duhej të flasim thjesht për Asociacionin pa folur për marrëveshjen bazike, dhe nuk do duhej të flasim për Asociacionin pa përmendur që dhjetë ulëse në Kuvendin e Republikës po bojkotohen. Si mund të kërkohen më shumë të drejta kur bojkotohen ato aktuale”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, Kosova të martën pati mbështetje masive dhe të thellë, pasi pati debate që u fituan me argument.

“Jemi optimistë për anëtarësimin në muajin maj dhe njëkohësisht do të angazhohemi që kjo të ndodhë për shkak se në njërën anën tjetër kemi shansin e jashtëzakonshëm, e në anën tjetër nuk ka rast tjetër në historikun e Këshillit të Evropës që Këshilli i Ministrave shpërfillë një këso mbështetje në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, aty ku është demokracia e Këshillit të Evropës, u panë edhe diskutimet që u bënë aty, mbështetja për Republikën e Kosovës, për anëtarësimin e vendit tonë nuk ishte thjeshtë vetëm masive, por ishte edhe e thellë meqenëse edhe debati me argumente u fitua, e jo vetëm me një ngadhënjim me fuqinë e numrave në sallë”, ka thënë ai.

Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut [GJEDNJ].

Zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, javë më parë në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, ka treguar rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme për qytetarët e vendit. Kjo sepse do t’i hapej mundësia secilit qytetar që në rastet kur drejtësia nuk vihet në vend në institucionet e Kosovës dhe pasi të jenë konsumuar ato, rastet të dërgohen në një nivel supranacional, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, apo siç njihet ndryshe si Gjykata e Strasburgut”, u shpreh Ahmeti.

Votimit i parapriu një debat që zgjati më shumë se dy orë. Shumica e deputetëve që morën fjalën e mbështetën anëtarësimin e Kosovës. Megjithatë, deputetët nga Franca thanë se do të ishte mirë që Kosova të bëjë hapat e parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para votimit final të ministrave në maj.

Autorja e raportit për Kosovën, Dora Bakoyannis, që është ish-ministre e Jashtme e Greqisë dhe motra e kryeministrit aktual grek, Kyriakos Mitsotakis, në fillim të debatit tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale, duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj.
Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.

Por, ka zëra në qarqet diplomatike që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.

Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. 

Shpërndaje në

U Kopjua