Nënkryetari i PDK, Memli Krasniqi po konsideron se Albin Kurti është politikan i papërgjegjshëm dhe frikacak. Po thotë se lideri i VV’së po frikësohet të marrë mandatin për krijimin e Qeverisë, gjë që nuk ka ndodhur më herët me asnjë prej fituesve të zgjedhjeve.
Sipas zyrtarit të lartë të PDK’së historia politike e Kosovës nuk ka parë një frikë të tillë të ndonjë politikani për t’u mandatuar.
“Albin Kurti është politikani më i papërgjegjshëm në skenën tonë politike. Me vite të tëra e ka dëshmuar këtë në opozitë e po e dëshmon edhe tash me ikjen e tij nga papërgjegjësia që ka për krijimin e Qeverisë. Është për keqardhje kjo frikë e tij për të marrë mandatin gjë që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e shtetit tonë”, ka thënë Krasniqi, në një përgjigje për Express.
Kanë kaluar 3 muaj e tre ditë prej kur janë mbajtur zgjedhjet ku është ditur fituesi. Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje para gjashtë muajsh. Më shumë se dy javë kanë kaluar prej se është konstituuar Parlamenti. Albin Kurti ka nominuar ministrat e VV’së për Qeverinë e re por ka refuzuar të marrë mandatin nga Hashim Thaçi për të ndërtuar Qeverinë e re brenda 15 ditësh.
Pavarësisht këtyre vonesave dhe dekalrimeve të LDK’së për opcione B e C për krijimin e qeverisë, në PDK kanë thënë se s’do të bëhen pjesë e asnjë kalkulimi. Në Partinë e Kadri Veselit kanë thënë se VV e LDK duhet të përmbushin detyrën dhe mandatin që kanë marrë.
“Qëndrimi i PDK’së për të qëndruar në opozitë është i qartë dhe i pandryshueshëm. Në asnjë mënyrë dhe ne asnjë opsion PDK nuk do të jetë pjesë e çfarëdo kalkulimi për krijimin e Qeverisë së re. Kjo është detyrë e VV’së dhe LDK’së dhe ne kërkojmë nga ta që sa më parë të përmbushin mandatin e tyre”, ka shtuar Krasniqi.
Megjithëse, vazhdimisht gjatë fushatës zgjedhore, Albin Kurti dhe zyrtarët e LDK’së kishin thënë se “koalicioni i shpresës” do të ndërtohej brenda pak orësh pasi të përfundonte procesi zgjedhor.
Në takimin e tretë këtë vit, VV e LDK dështuan të ndajnë pozitat në Qeveri, Parlament e Presidencë.
LDK po kërkon të kthehet te oferta fillestare, duke kërkuar pesë ministri, Kryeparlamentarin dh zotimin për President. VV ka shprehur gatishmëri t’i japë LDK’së një ministri më shumë por jo edhe pozitën e Shefit të Parlamentit.
Albin Kurti doli fitues në zgjedhjet e fundit nacionale duke i fituar 29 deputetë. Një më shumë se Lidhja Demokratike Kosovës, e cila s’ka arritur të fitojë prej vitit 2004.
Kurti ka pasur raporte të këqija me LDK’në dhe ka pasur akuza të rënda për Isa Mustafën sa ishte Shef i Prishtinës, duke i dërguar edhe dhjetëra dosje penale në Prokurori.
Raportet ishin përkeqësuar ndërmjet LDK’së e VV’së kur në krye të Qeverisë erdhi Isa Mustafa, ndaj të cilit kishin organizuar protesta e sulme edhe para shtëpisë së tij në Prishtinë e Prapashticë. Liderin e LDK ‘së e kishin akuzuar për argat të Serbisë.
Në dy vitet e fundit, VV e LDK kishin ndërtuar bashkëpunim opozitar. Por, kishin dështuar të bënin koalicion parazgjedhor, pasi secila parti synonte të dilte e para.
Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, VV e LDK kishin premtuar se do të ndërtonin koalicionin e shpresës për t’i zbatuar premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale për përmirësimin e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë e sundimin e ligjit.