Live

Krasniqi sërish thirrje Qeverisë: Ndani fonde emergjente financiare, merreni përgjegjësinë menjëherë

15:27 / 21 Janar 2023

Nga Kosova Live

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë fonde emergjente financiare në mënyrë që të mbështeten komunat e prekura nga vërshimet.

Ai këtë thirrje e ka bërë në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, duke përkujtuar vështirësitë që po hasin banorët në Skenderaj, Mitrovicë, Istog, Podujevë dhe Klinë, shkruan Demokracia.com.

“Gjendja e vendbanimeve të prekura nga vërshimet në Skënderaj, Mitrovicë e Istog, si dhe Podujevë e Klinë, po vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rëndë. Banorët e atyre zonave po përballën me vështirësi të mëdha, përfshirë mungesën e strehimit. Shtëpitë e dëmtuara e të pabanueshme, dëmet ekonomike dhe shkëputja totale nga normaliteti, e kanë bërë situatën emergjente dhe për këtë kërkohet reagim i shpejtë”, ka deklaruar ai.

“Përkundër se komunat janë në krye të detyrës, kjo barrë është më e madhe sesa që ato mund ta përballojnë. Andaj, ftoj Qeverinë e Kosovës që të mblidhet me urgjencë, sa më parë, dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura, si dhe t’iu përgjigjet përmbushjes së nevojave të tyre, për sanimin e gjendjes dhe strehimin sa më të shpejtë të njerëzve në shtëpitë e veta”.

“Shembulli i qytetarëve në solidaritet me njëri-tjetrin është frymëzues, por koha kërkon veprim me përgjegjësi institucionale e shtetërore. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e saj, sot dhe menjëherë”, përfundon Krasniqi.

Shpërndaje në

U Kopjua