Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka pritur sot ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier, me të cilin kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.
“Ambasadorit Hovenier i shpreha edhe një herë qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat tona në raport me propozimin evropian tashmë të pranuar nga Kryeministri Kurti. Për ne, kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe një mundësi e humbur për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë në qendër. Përkundër mbështetjes që PDK i ka dhënë Kryeministrit Kurti për dy vjet me radhë në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë, përmes gabimeve e veprimeve kryeneqe dhe në shpërputhje me kontekstin politik, ai ka dështuar që të arrijë përmbushjen e qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Memli.
Tutje Krasniqi ka shkruar se e ka falënderuar ambasadorin Hovenier për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe e ka siguruar që PDK-ja gjithmonë do të veprojë në përputhje ne interesin shtetëror dhe qytetar të Kosovës.