Live

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane: Besoj se gjatë vitit të ardhshëm qytetarët mund të nisin lëvizjen pa viza në vendet e BE

11:08 / 12 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Rrezarta Krasniqi, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, ka dhënë shpresë që agjenda e liberalizimit të vizave për kosovarët nuk do të shtyhet.

“Përderisa ekziston ky optimizëm edhe nga ana e shteteve anëtare të BE-së për përkrahjen e Kosovës në liberalizimin e vizave, nuk presim që të shtyhet agjenda e liberalizimit të vizave”, ka thënë ajo

Ajo ka thënë se Kosova duhet ta gëzojë të drejtën e lëvizjes së lirë, pasi ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Pritjet tona janë optimiste për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për lëvizje të lirë, kjo është konfirmuar tashmë edhe nga organizmat ndërkombëtarë se qytetarët tanë meritojnë lëvizje të lirë në vendet e BE-së. Mbesim me shpresë se padrejtësia në raport me vizat të marrë fund sa më shpejtë për qytetarët tanë”, tha kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane për Gazetën Insajderi.

Krasniqi ka zbuluar se Komisioni që ajo drejton “është angazhuar vazhdimisht për çështjen e vizave, edhe së fundmi gjatë qëndrimit në Bruksel kemi takuar përfaqësuesit e shumë vendeve të Parlamentit Evropian duke kërkuar mbështetje për lëvizje të lirë”.

Por, kur kosovarët mund të lëvizin pa viza, sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës?

“Janë disa procedura administrative të cilat i parasheh Bashkimi Evropian, në rast se marrim mbështetjen e duhur nga vendet anëtare të Parlamentit Evropian, besoj se gjatë vitit të ardhshëm qytetarët mund të nisin lëvizjen pa viza në vendet e BE”.

Ndërkohë sot dhe të enjten bëhet hapi i parë i madh drejt hyrjes së liberalizimit në agjendë.

Më 12 dhe 13 tetor, sipas njoftimit zyrtar, Grupi Punues për Vizat në kuadër të Këshillit Evropian, shqyrton dokumentin e lartpërmendur. Plani fillestar ishte që grupi të mblidhet vetëm më 13 tetor.

Ndërkaq, të premten më 14 tetor mblidhen ministrat e Punëve të Brendshme të Unionit, më saktësisht Këshilli i Shengenit.

Aty do të diskutohet situata e përgjithshme, me fokus të veçantë në menaxhimin e kufijve të jashtëm dhe do të vendosin veprime në këtë fushë.

Vendimin final për liberalizim, pas kryerjes së procedurave paraprake, e merr Këshilli Evropian (KE) me shumicë të kualifikuar.

Deri më 31 dhjetor, presidencën e BE-së e mban Çekia, që lëvizjen e lirë për kosovarët në zonën Shengen e ka vendosur si njërin prej top prioriteteve të saj, sa i përket Ballkanit Perëndimor.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...