Live

Kthimi i serbëve në institucione i lidhur me Asociacionin, s’u përmend në Bruksel

15:21 / 28 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Dje kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kanë zhvilluar një takim në Bruksel në kuadër të dialogut, ku u fol për planin franko-gjerman. Pas përfundimit të takimit, u deklaruan pjesëmarrësit e këtij takimi, mirëpo nuk u përmend kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës.

Te neni i 10- të i propozimit, thuhet se të dy palët do të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut “që mbeten të vlefshme dhe të obligueshme”, ku hyn edhe asociacioni. Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell, ka deklaruar se në bazë të propozimit franko-gjerman letërnjoftimet, pasaportat e targat do të njihen reciprokisht.

“Ajo përcakton se njerëzit mund të lëvizin lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur pasaportat e tyre – të njohura reciprokisht – letërnjoftimet dhe targat. Kjo nënkupton që njerëzit mund të studiojnë dhe të punojnë pa e pyetur veten nëse diplomat e tyre dhe ku i kanë marrë ato mund të jenë një problem”, tha Borrell.

Këto janë dy arsyet se pse serbët lëshuan institucionet e Kosovës. Mirëpo rikthimi i tyre, nuk qe temë diskutimi.

Vuçiq pas takimit tha se ka insistuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mirëpo nuk është arritur marrëveshje.

“Kurti refuzoi që ta krijojë Asociacionin. Nuk do të ketë marrëveshje pa krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Ndërkaq Kurti tha se ka qenë i gatshëm të nënshkruajë “por Serbia nuk ishte gati”.

“Ramë dakord të dy për Propozimin e BE-së të mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe SHBA-ja. Unë ofrova të nënshkruaja zyrtarisht, por Serbia nuk ishte gati. Së shpejti do të vijojnë negociatat për zbatimin”, shkroi ai.

Mirëpo, muaj më parë, rikthimi i serbëve në institucionet e Kosovës, Kurti tha se nuk mund të jetë politik.

“Nuk kam të drejtë t’iu them kthehuni. Shkuarja e tyre është akt individual, kthimi i tyre është çështje ligjore, kushtetuese, institucionale”, tha Kurti më 24 nëntor.

Ndërsa, në fund të dhjetorit, Kurti u bëri thirrje serbëve që të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës.

“Zbrazëtinë që ekziston brenda institucioneve tona të përbashkëta pas dorëheqjes kolektive dhe kryesisht të detyruar, të disa qindra serbëve, ne nuk duam ta mbushim me shqiptarë… Prandaj, i ftoj të gjithë serbët nga Kosova që të aplikojnë për këto vende pune, veçanërisht serbët që nuk kanë pasur asnjë shans deri më tani”, tha Kurti në një konferencë për media, teksa bëri një adresim në gjuhën serbe.

Institucionet që i lëshuan serbët

Më 5 nëntor, Lista Serbe mori vendim që të lëshojë të gjitha institucionet e Kosovës – qendrore e lokale – për shkak të vendimit të atëhershëm të Qeverisë për targat. Kushti i tyre për t’u rikthyer në institucione ishte tërheqja e vendimit për targat dhe krijimi i asociacionit “në përputhje me marrëveshjen e parë të nënshkruar në Bruksel”.

Për këto arsye, afër 600 pjesëtarë serbë që kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, ndërsa 32 janë larguar nga Prokuroria e 130 nga Gjykata.

Dorëheqje kanë dhënë edhe 11 persona nga Dogana, 4 nga KQZ e 65 nga kryetarët dhe kuvendet komunale.

Për t’u larguar kishin vendosur edhe 10 deputetë të Listës Serbe, mirëpo vendet e tyre u plotësuan nga 9 deputetë tjerë të Listës Serbe e 1 nga iniciativa qytetare, SPO.

Propozimi i plotë:

Palët e dakorduara,

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,

Kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave të tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverive përkatëse.

Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Të dyja palët zotohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit si aneks të kësaj Marrëveshjeje.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...