Live

Kundërshtimi për Asociacionin, VV: Mos t’i jepet jehonë diçka që nuk është pranuar dhe gjymton Kosovën

22:18 / 28 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Pajtim për planin evropian pati dje në Bruksel, në takimin Kurti-Vuçiq me ndërmjetësim të BE-së.

Bashkimi Evropian më pas publikoi edhe propozimin franko-gjerman.

Pas takimit, kryeministri Kurti tha se ka dashur ta nënshkruajë marrëveshjen, por që ata nuk e ka bërë dhe pala serbe.

Ndërsa, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se ka shumë punë për të bërë dhe se takimi për zbatimin e këtij plani do të mbahet në mars.

Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, në një prononcim nga Gazeta Blic, thotë se plani është bazë e mirë për marrëveshje finale dhe se duhet dialoguar për të arritur marrëveshjen finale.

“Propozimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i njohur si plani franko-gjerman dhe i mbështetur nga SHBA-të, ne që nga fillimi kemi konstatuar që është bazë e mirë për marrëveshje finale. Natyrisht, kemi pasur edhe ne disa mospajtime dhe për këtë quhet “dialog” sepse duhet dialoguar për të arritur marrëveshjen finale”, thotë ai.

Sa i përket Asociacionit, deputeti i VV-së thotë se qëndrimet janë publike dhe në deklaratën e Borrell nuk e përmend Asociacionin, por që janë 33 marrëveshje që nuk janë zbatuar e nuk mund të zbatohet vetëm një ndaras.

“Qëndrimet tona për Asociacionin janë publike dhe të qarta. Në deklaratën zyrtare të BE-së të dhënë nga z. Borrell asnjëherë nuk përmendet Asociacioni. Edhe në propozimin që tanimë është bërë publik askund nuk përmendet Asociacioni, por marrëveshjet dhe si të tilla ne e dimë që janë 33 gjithsej që ende nuk janë zbatuar. Por, nuk mundet një marrëveshje të trajtohet veçmas dhe nuk do të trajtohet si e tillë. Po ashtu, interpretimi i Gjykatës Kushtetuese e ka kristalizuar mos pajtueshmërinë kushtetuese të kësaj marrëveshje”, potencon Batusha.

Ai madje thotë se nuk duhet dhënë jehonë diçka që nuk është pranuar dhe që e gjymton Kosovën.

“Pra, Asociacionin nuk po përmendet as në propozimin e marrëveshjes dhe as në deklaratën zyrtare të BE-së. Andaj, konsideroj që ne në Kosovë nuk do të duhej t’i japim jehonë diçkaje që ne nuk e pranojmë dhe e gjymton Kosovën. Lërjani Vuçiçit dhe aleatëve të tij”, deklaron deputeti Agon Batusha.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se marrëveshja nuk e përmban njohjen reciproke dhe nuk është marrëveshje finale.

“Dakordimi i palëve rreth marrëveshjes e cila ende nuk është prezantuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, konfirmon shqetësimet tona për përmbajtjen e marrëveshjes, e cila nuk është finale dhe nuk e përmban njohje mes dyja vendeve. Ky në fakt ishte edhe qëllimi i Serbisë, që të dakordohet për gjithçka tjetër, përveç njohjes”, thekson ajo.

Sipas Krasniqit, marrëveshja po ashtu përfshin dhe Asociacionin dhe tani mbetet vetëm data e themelimit të tij.

“Marrëveshja po ashtu parasheh edhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake, për të cilat kishte bërë protesta sa ishte në opozitë duke i kundërshtuar ato përfshirë edhe Asociacionin, që tani çështje është vetëm data e themelimit të tij. Kjo nënkupton kthim mbrapa të vendit, në mungesë të njohjes bazë në këtë marrëveshje”, potencon deputetja Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...