Live

Kur u krisen raportet Kurti-Osmani dhe si u zhvilluan mosmarrëveshjet midis tyre

17:35 / 23 Maj 2024

Nga Kosova Live

Tandemi Albin Kurti – Vjosa Osmani, duket se është prishur. Gazeta Express ju sjell një kronologji të mosmarrëveshjeve ndërmjet kryeministrit dhe presidentes – nga çështja e përfaqësimit të vendit në samitet e forumet e ndërkombëtare, konfrontimi i drejtpërdrejtë, e deri te mungesa totale e komunikimit.

“Do të na gjeni në të njëjtin vend dhe për të njëjtin qëllim”, deklaronte Albin Kurti më 14 janar të vitit 2021, pasi kishte nënshkruar një marrëveshje me Vjosa Osmanin për parimet dhe synimet politike. Saktësisht një muaj më pas, ata do të garonin së bashku në zgjedhjet parlamentare, në të cilat triumfuan bindshëm. Ai u bë kryeministër; ajo presidente.

Dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës javën e kaluar shpërfaqi një mosmarrëveshje ndërmjet Kurtit dhe Osmanit dhe mungesë totale të komunikimit ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës.

Kjo nuk është mosmarrëveshja e parë ndërmjet dy krerëve të shtetit. Gazeta Express merr vesh se fërkimet e para ndërmjet Kurtit dhe Osmanit kishin nisur për çështjen e përfaqësimit të vendit në samitet e forumet e ndryshme ndërkombëtare.

Shkëndija e parë e prishjes së marrëdhënieve ndërmjet tyre ishte në vitin 2022. Zyra e Kryeministrit njoftonte më 18 shkurt të atij viti se shefi i Qeverisë, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla do të udhëtonin atë ditë për në Mynih, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë. Po atë ditë, Presidenca njoftonte më pas se shefja e shtetit, Vjosa Osmani kishte udhëtuar për në të njëjtin destinacion dhe me të njëjtin qëllim, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë. Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit nuk përmendej presidentja dhe në njoftimin e Zyrës së Presidentes nuk përmendej kryeministri.

Ata, siç merr vesh Express, kishin pasur një konfrontim të drejtpërdrejtë më pas. Kësaj radhe, shkak ishte bërë diçka tjetër: Osmani ishte ndjerë e përjashtuar nga një takim i Kurtit me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Osmani në shtator të vitit të kaluar kishte shkuar në New York, ku po mbahej sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Atje ishte takuar me Këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi kishin qenë temë themelore e diskutimit. Presidentja shprehej se roli i SHBA-së “është kyç për ta përfunduar me sukses procesin, duke i hapur rrugën njohjes reciproke”. Ishte takuar edhe me Zëvendës këshilltarin për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jon Finer.

Me t’u kthyer në Prishtinë, Vjosa Osmani do ta paraqiste idenë se Kosova duhej ta përgatiste së bashku me SHBA-në një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Thoshte se marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishin dakorduar në shkurt dhe mars 2023 “nuk është perfekte”, por se është obligim ndërkombëtar.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, ta përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, ta prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin nga Chollet dhe Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, deklaronte Osmani më 27 shtator, në një intervistë në televizionin publik (RTK).

Më herët, kur marrëdhëniet ndërmjet kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama e prekën pikën më të ulët në verën e vitit të kaluar, pikërisht atëherë Vjosa Osmani i rregulloi marrëdhëniet me shefin e qeverisë shqiptare. Albin Kurti kishte refuzuar ta takonte kryeministrin e Shqipërisë në Prishtinë për shkak të anulimit të një mbledhjeje të përbashkët qeveritare, ndërkaq presidentja e vendit, që më herët kishte qëndruar gjatë krah Kurtit në një betejë akuzash e kundër-akuzash me Ramën, e kishte pritur në takim kryeministrin e Shqipërisë.

Një përplasje publike ndërmjet Osmanit dhe Kurtit ishte parë në dhjetor të vitit të kaluar, kur presidentja e kishte ftuar kryeministrin në një takim të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut. Aty, ata kishin diskutuar me mospajtim për mbi 2 minuta. Ishte thënë se kishin shprehur disa mospajtime lidhur me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe “çështjen e përqindjes së grave në listat zgjedhore”.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili kishte folur publikisht se në Washington kanë “problem komunikimi me kryeministrin”, dhe thoshte se “ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara”, në mars të këtij viti e ‘shpalli’ presidenten garantuese të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Presidente Osmani, ju jeni garantuesja kryesore e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet SHBA-së dhe Republikës së Kosovës”, deklaroi diplomati amerikan në një konferencë të përbashkët më 21 mars, kur po qëndronte në Prishtinë në një përpjekje për t’u dakorduar me Kurtin për çështjen e heqjes së dinarit serb nga përdorimi si mjet pagese në vend.

Megjithëse Qeveria dhe Presidenca janë vetëm disa hapa larg, ndërmjet dy institucioneve qendrore mungoi totalisht komunikimi javën e kaluar, kur Kosova kishte para vetes një synim aq të rëndësishëm si anëtarësimi në Këshillin e Europës.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla javën e kaluar ia dërgoi një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Theodoros Rousopoulos (që u konsiderua si adresë e gabuar), në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave, në një përpjekje të fundit për t’i bindur ministrat e shteteve anëtare të kësaj organizate për ta futur Kosovën në agjendën e takimit të tyre.

Gërvalla shkruante për përgatitjen e një draft-statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që thoshte se do t’i dorëzohej Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji, duke shprehur pritjen që pas këtyre “hapave konkretë dhe të prekshëm”, Komiteti i Ministrave do të vendoste përfundimisht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës që tani, gjë që nuk ndodhi.

Presidentja Vjosa Osmani nuk e mbështeti këtë letër dhe këshilltari i saj, Bekim Kupina, tha se shefja e shtetit nuk ishte e konsultuar për të.

“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës… Kjo letër nuk është e tillë”, tha Kupina të enjten e javës së kaluar.

Gërvalla, që e drejton partinë Guxo, kryetare e së cilës ishte Osmani deri në prill të vitit 2021, tha paraprakisht në një konferencë për media se koordinimi mes institucioneve “është, si rrallë ndonjëherë, në nivel të jashtëzakonshëm”.

“Të jeni të sigurt se edhe presidentja, siç e keni parë, ka qenë bashkënënshkruese e zotimeve dhe kjo letër e sotme nuk është asgjë e re; është vetëm përsëritje”, deklaroi kryediplomatja.

Por këshilltari i Osmanit tha se letra “mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”.

Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci Publike, Liz Allen ishte të dielën në mëngjes u takuar me presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë. Më pas do të shkonte në Qeveri për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Në një konferencë të përbashkët për media, Nënsekretarja e Shtetit tha se SHBA-të janë të përkushtuara ndaj popullit të Kosovës dhe e falënderoi Osmanin për punën e saj për t’i mbajtur pozitive marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Presidentja, në anën tjetër, i uroi Allen vizitë të suksesshme në Kosovë, ndërsa përmendi se partneriteti me SHBA-në është ekzistencial për çdo sukses të vendit.

“I uroj vizitë të suksesshme në Republikën e Kosovës, në Republikën e cila sot gëzon lirinë, demokracinë, falë mbështetjes edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneriteti ynë me SHBA-të do të vazhdojë të jetë ekzistencial për çdo sukses të Kosovës”, tha Osmani në fjalën e saj.

Allen, ndërkaq, tregoi se biseduan edhe për “çështjet kritike të rrugëtimit euroatlantik të Kosovës”, për ta përmendur më pas themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si hap thelbësor në rrugën e anëtarësimit euroatlantik.

“Presidentja dhe unë e patëm një bisedë produktive sa i përket dezinformimit, mbështetjes për shoqërinë civile dhe angazhimin multilateral. Po ashtu biseduam edhe për çështjet kritike të rrugëtimit euroatlantik të Kosovës. Ne e mbështesim trajektoren e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike përmes bashkëpunimit dhe bashkërendimit të ngushtë, dhe e di se është shumëe rëndësishme edhe për juve zonja presidente Vjosa Osmani. Diskutuam për hapin thelbësor në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës, Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Allen.

Në fund të fjalës së saj, diplomatja amerikane tha se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara ndaj popullit të Kosovës si kurrë më parë”. Për marrëdhëniet që vazhdojnë të mbeten pozitive, Allen e falënderoi Osmanin.

“Dhe faleminderit Presidente Osmani që na jeni bashkuar në këtë iniciativën tonë për ta luftuar më mirë dezinformimin dhe manipulimin e informatave dhe për punën tuaj për të ndihmuar në vazhdimin e marrëdhënieve pozitive ndërmjet dy vendeve tona. Jam e nderuar që jam këtu si mike dhe partnere”, tha Allen.

Shpërndaje në

U Kopjua