Live

Kurteshi i LVV-së: Lista Serbe, organizatë terroriste, gjendja në veri e keqe, presidentja vendosë nëse do të mbahen zgjedhjet

16:12 / 07 Dhjetor 2022

Nga admin

Teksa Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka insistuar se zgjedhjet në komunat me shumicë serbe do të  mbahen pavarësisht rrethanave të fundit, anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi për Kosovalive.net, ka thënë se pas incidenteve të shumta në veri, KQZ ka kërkuar nga organet kompetente të dijë nëse janë të gatshëm për zgjedhje dhe të krijojnë  kushte për siguri.

“Procesi zgjedhor në veri është i domosdoshëm, për të legjitimuar organet komunale, tash ndaj rrethanave të krijuara në mënyrë artificiale nga Qeveria Serbe përmes grupeve të armatosura, diverzive, paramilitare, policore që i ka dërguar në Kosovë. I ka armatosë dhe i ka dërguar me një mision që do të thotë për të shkaktuar incidente, krijimin e pasigurisë, krijimin e një gjendje ku askush nuk e ndjen vetën të sigurtë, dhe me qëllimin përfundimtar, për të dëshmuar se pushtetin faktik atje e ka Serbia. Përmes dorës së vetë të zgjatur të Listës Serbe, ajo do të krijojë situata ku duket si e pamundur jo vetëm mbajtja e zgjedhjeve, por zhvillimi i një jete normale nëse pushtetin atje edhe juridik edhe faktik nuk e ka në dorë Lista Serbe që në të vërtetë dalëngadalë po rrëshqet ose së paku po kthehet në gjendjen e vetë origjinale si organizatë terroriste. Këtë duhet ta shqyrtoj KQZ’ja, pozitën e Listës Serbe si parti politike sepse është obligim i KQZ’së. E çështja tjetër është se organet kompetente të Republikës së Kosovës i kanë detyrat e ndara, e KQZ e ka një detyrim kushtetues dhe ligjor, të përgatitur të mbaj dhe të zhvilloj në rrethanat normale”, ka deklaruar.

Ai ka shtuar se KQZ nuk e ka për obligim as të drejtën të konstatoj kur do të mbahen zgjedhjet.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka për obligim as të drejtën të konstatoj kur do të mbahen zgjedhjet apo jo. Por KQZ e ka një detyrim kushtetues, pra përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve nëse institucionet e tjera shtetërore dhe kjo është lidhshmëria mes institucioneve, krijojnë rrethana ku njerëzit mund të lëvizin lirshëm e të shprehin vullnetin e tyre të lirë e demokratik, kaq është puna e KQZ’së. Pra jo nuk është as e drejtë as e detyrim kushtetues i KQZ’së”, ka thënë Kurteshi.

Ai ka nënvizuar se ata do të punojmë sipas planit operacional edhe pse situata sipas tij po shkon duke u keqësuar.

“Është duke shkuar në drejtim të ashpërsim të gjendjes në veri, sepse Serbia nuk është e interesuar që në Kosovë të ketë gjendje normale. Nëse vërtetë janë krijuar rrethanat dhe mund të garantojnë lirinë e lëvizjes, jetën e njerëzve dhe shprehjen e lirë të vullnetit sepse kjo është çështje e presidentes së Kosovës që i ka shpallur zgjedhjet, vetëm ajo mund të lëvizë datën dhe ditën e zgjedhjeve për mbajtjen apo mos mbajtjen e zgjedhjeve në veri të vendit, kurse qeveria e Kosovës i ka dy detyrime të krijoj rrethana për mbajtjen e zgjedhjeve, për lëvizje të lirë dhe të siguroj mjete të mjaftueshme për KQZ’në, për përgatitjen e zgjedhjeve. Kaq janë këto detyra të secilit institucion”, ka thënë ai./Kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua