Sot janë bërë katër vjet nga dita e votimit të projektligjeve për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës. Krijimi i Ushtrisë së Kosovës përmes ligjit e jo përmes ndryshimeve kushtetuese dikur shihej si tejet i rrezikshëm nga politikanë të asaj kohe e që sot janë në pushtet dhe mburren çdo ditë me FSK-në.
Edhe vetë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që në kohën kur po bëhej ushtria ishte deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e quante lojë të PDK-së krijimin e ushtrisë përmes ligjit, shkruan Demokracia.com.
Ajo e ngriste zërin dhe përsëriste se LDK-ja mburret që nuk kishte lejuar një veprim të tillë.
Osmani në atë kohë thoshte se kishte qenë një lojë e PDK-së për të krijuar ushtrinë, ku pasoja do të ishte krijimi i pakicës serbe si grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës.
Osmani insistonte se pakicat serbe nuk kishin rënë dakord asnjëherë që ta votonin Ushtrinë e Kosovës, por ishin vetëm pretendime të PDK-së.
“Në asnjë moment nuk ka pas garanci nga askush dhe në veçanti jo nga pakica serbe, sepse ju flisni në emrin tyre. Nuk i leni ata të flasin se në qoftë se vazhdohen vendet e rezervuara ata do ta votonin ushtrinë. Përkundrazi ka qenë një kurth i ndytë, një kurth që keni dashur të na futni neve që të votohen edhe shumë më shumë vende për pakicat, sesa që i kanë tani. Dhe a e dini cili ka qenë rezultati i mundshëm me atë dalje në përqindje të serbëve që e kishin në atë kohë, sot do t’i kishim grupin më të madh parlamentar, pakicat. Se tash ju i keni 23 deputetë PDK-ja, keni menduar se gjithmonë do t’i keni 40, por sot i keni 23. Me atë logjikë keni menduar atëherë e jo që do t’i sillnit pakicat grupin më të madh se sa çdo grup tjetër shqiptar”, kishte thënë Vjosa Osmani.
“Ne si LDK mburremi, po e përsëris mburremi, që e kemi thënë se nuk pranojmë një kurth dhe një skenar të tillë, e para”, thoshte Vjosa Osmani, kur ishte akuzuar nga Enver Hoxhaj se LDK nuk kishte dhënë votat për krijimin e Ushtrisë së Kosovës vetëm për shkak të meritave.
Madje, përkundër akuzave nga Hoxhaj, Osmani thoshte se LDK është partia e vetme që ka seriozisht krijimin e ushtrisë.
“Asnjëherë pakica serbe nuk ka thënë se do ta votojë ushtrinë, as atëherë e as tash. Ka pasur vetëm deputet individual deri më tash. Është dëshmuar se vetëm LDK e ka seriozisht krijimin e Ushtrisë së Kosovës”, thoshte Osmani teksa deputetët në Kuvendin e Kosovës kishin filluar të qeshnin.
Por, më vonë Vjosa Osmani, krijimin e Ushtrisë së Kosovës e quante ditë historike. Ajo e quante të bekuar Kosovën që kishte mbështetjen e SHBA-së dhe shteteve të tjera.
“Besoj që gradualisht të gjitha shtetet anëtare të NATO-s do të binden për kontributin që ushtria jonë do të jep për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Kosova është e bekuar që ka përkrahjen e shtetit më të fuqishëm në NATO, pra të SHBA-ve, dhe të shteteve të tjera të fuqishme si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar”.
Ndërsa, sot si Presidente e Kosovës, e quajti ditë historike – ditën e 14 dhjetorit 2018 kur ishte themeluar Ushtria e Kosovës. /Demokracia.com/