Live

Kurti e kishte pritur në takim shefin e UNMIK-ut, nuk i kishte kërkuar asgjë për vrasjen e Balajt dhe Xheladinit

17:48 / 10 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, derisa protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit, u vranë më 10 shkurt nga policia rumune e UNMIK-ut, 16 vjet më parë.

Kjo protestë ishte organizuar nga Albin Kurti, i cili ishte në krye të Lëvizjes Vetëvendosje për të kundërshtuar dokumentin e Ahtisaarit.

Kurti i cili sot është kryeministër i vendit, kishte pasur një takim me shefin e UNMIK-ut, Zahir Tanin, mirëpo sipas komunikatës së Qeverisë në këtë takim nuk ishte folur asgjë për vrasjen e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit.

“Z. Tanin e përgëzoi kryeministrin Kurti për fitoren e thellë në zgjedhje dhe për mandatin e fuqishëm që ka marrë në udhëheqje të Qeverisë. Ai tha se prioritetet që ka shpalosur kryeministri Kurti si luftimi i pandemisë, lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit, janë ato që reflektojnë kërkesat dhe shpresat e qytetarëve. Kryeministri Kurti e falënderoi z. Tanin për urimet dhe e njoftoi atë me situatën e pandemisë dhe masat që ka qenë e detyruar të marrë qeveria për të mbrojtur shëndetin publik. Ai tha se institucionet janë duke u angazhuar maksimalisht për sigurimin e dozave të tjera të vaksinës kundër COVID-19”, thuhej në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit të lëshuar pas takimit më 12 prill 2021, përcjell Demokracia.com.

Ndërsa, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot në 16 vjetorin e vrasjes së Balajt dhe Xheladinit ka thënë se lidhur me nivelin e zhvillimit të procedurave dhe marrjen e përgjegjësisë nga policia rumune, i është drejtuar Sekretarit të Kombeve të Bashkuara, për të kërkuar informata.

Haxhiu në një postim në Facebook ka shkruar se në vitin 2009 ishte hapur rasti për hetimin e vrasjes së tyre.

“Para 3 vitesh zyrtarisht si ministre, u jam drejtuar autoriteteve rumune me shkresë për informacione lidhur me detajet procedurale dhe veprimet e ndërmarra për vrasjen e aktivistëve protestues. Vitin e kaluar rastin e kam adresuar edhe te Sekretari i Kombeve të Bashkuara për të kërkuar informata lidhur me nivelin e zhvillimit të procedurave dhe marrjen e përgjegjësisë nga policia rumune”, ka shkruar Haxhiu.

Mirëpo, ajo nuk ka treguar nëse ka marr ndonjë përgjigje në adresimet e saj./Demokracia.com/

Shpërndaje në

U Kopjua