Live

Kurti e quan Thaçin personalitet historik: Kontributi i tij duhet kujtuar me respekt

10:56 / 02 Mars 2023

Nga Kosova Live

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka dhënë një intervistë të gjatë, shumë të gjatë për revistën e njohur “Shenja”, e cila menaxhohet nga shqiptarët në Shkup. Në këtë intervistë, ai ka folur gjerë e gjatë për shumë tema, përfshirë figurën e Hashim Thaçit, Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin.

Ajo që çudit është deklarata pozitive e tij për Thaçin, të cilin dikur e quante “tradhtar”, e që sot e quan “personalitet historik”.

Çka e pyeti revista Shenja?

“Keni qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Adem Demaçit. Keni qenë, po ashtu, shumë aktiv edhe në kohën e politikës të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Keni qenë kundërshtar i rreptë i politikave të ish Presidentit dhe udhëheqësit të UÇK-së, Hashim Thaçi. I kam dy pyetje: E para, çfarë i bashkon këto tre figura dhe, e dyta, ku mendoni se ata kanë gabuar në procesin e shtetndërtimit të Kosovës?”, ishte pyetja e intervistuesit.

Kurti vlerësoi se këto tre figura duhen kutjuar me respekt.

“Në këtë kohë festimesh e përvjetorësh jubilarë, këto tre figura duhen kujtuar me respekt për kontributet e tyre të cilat kanë qenë sidoqoftë thelbësisht të ndryshme, edhe pse në të njëjtin drejtim: atë të pavarësisë së Kosovës. Pikërisht kjo është gjëja që i bashkon këto tre figura të ndryshme nga njëra-tjetra. Nuk më lejohet mua si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës të komentoj apo të bëj kritika ndaj personaliteteve historike, në kuadër të kontributeve të tyre për Kosovën. Le të merren me këtë gjë historianët. Unë e kam për detyrë t´i respektoj e t´u jem mirënjohës që secili ka dhënë aq sa ka ditur e mundur”, tha Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua