Live

Kurti: Në marrëveshjen e 4 prillit termi i dakorduar është “personat e zhdukur me dhunë”

10:34 / 06 Prill 2023

Nga Kosova Live

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se termi i përdorur në marrëveshjen e fundit në Bruksel mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqit është “viktimat e zhdukura me dhunë”.

Kurti tha se ai është termi i cili është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes.

“Formulimi i saktë në anglisht është ‘forcibly disappeared’ – të zhdukur me dhunë – dhe kështu është termi që është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet personat të pagjetur, të zhdukur, që mungojnë, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukur me dhunë. Kjo është shprehja në anglisht për të cilën tashmë është dakorduar në Bruksel”, ka thënë Kurti të enjten para gazetarëve, pas prezantimit të strategjisë së Kosovës për Qeverisje Elektronike 2023-2027.

Tutje, kreu i qeverisë tha se bashkë me Bislimin do të analizojnë rezultatin e takimi më 4 prill, teksa bëri të ditur se për këtë muaj ai është i gatshëm për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Mirëpo, edhe një herë po e theksoj, duhet të zbatohet e gjithë marrëveshja dhe në kuadër të marrëveshjes kemi një nen, i 10-it, i cili është për zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme”.

“Por, si një çështje urgjente në aneksin e zbatimit që u dakordua në Ohër është pikërisht çështja e të pagjeturve nga lufta, përkatësisht të zhdukurve me dhunë”, është shprehur Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua