Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, takouan Gjenerallejtënantin amerikan Michael Fenzel, Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Izrael dhe Palestinë.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë bisedës, kryeministri Kurti e njoftoi Gjenerallejtënantin Fenzel për katër vjetët në krye të qeverisë.
Kurti përmendi investimet në mbrojtje dhe armatim dhe bashkëpunimin këtu me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si mike dhe aleate e madhe e Kosovës.
“Krahas tyre, ai theksoi investimet në mbrojtje dhe armatim, bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si mike e veçantë, partnere e pazëvendësueshme dhe aleate e madhe e vendit tonë, dhe kontributin e çmueshëm të saj në çlirim, pavarësim dhe demokratizim të vendit, por edhe në avancimin dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, vijon njoftimi.
Kryeministri veçoi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, nga blerja e sistemit raketor anti-tank Javelin e helikopterët Black Hawk, deri te bashkëzbarkimi me trupat amerikane në Kuvajt, dhe pjesëmarrja si vend pritës në ushtrimin Defender Europe 25, por edhe në fushën humanitare me ndihmën e dhënë për strehimin në Kosovë të refugjatëve afganë.
“Së fundmi, Republika e Kosovës gjithashtu ka ndarë pesëqind mijë euro (500.000€) për ndihmë humanitare në Gaza”, vijon njoftimi.
Në takim u diskutua për mundësitë e përfshirjes dhe kontributit të Kosovës në nisma të udhëhequra e të koordinuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të përbashkët.