21 personat e vrarë në Masakrën e fshatit Rogovë të Hasit janë përkujtuar të dielën nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 24-vjetorin e rënies.
Kurti, te lapidari në Vraniq të Gjakovës, bëri homazhe dhe kujtoi luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilë e rënë më 29 janar të vitit 1999 në këtë masakër.
Ai kujtoi katër dëshmorët e familjes Lleshi, bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit.
“Prendi dhe Mema ranë dëshmorë më 28 janar 1999 në betejën e Godenit, ndërsa Marku dhe Kola më 7 gusht 1998 në betejën e Vraniqit”, thuhet në njoftim.
Kurti kujtoi edhe dëshmorët Hamdi Berisha dhe Kasim Shala duke vendosur lule te ura e Bishtazhinit, ndërsa në Gadish nderoi jetën dhe veprën e Gasper Karaqi, i rënë dëshmorë më 28 janar 1999.