Në 33-vjetorin e rënies së dëshmores së lirisë Elfete Humolli, Kryeministri Albin Kurti, së bashku me Nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, bënë homazhe te kompleksi memorial në Lupç të Poshtëm.
Nga zyra e kryeministrit njoftojnë se Kurti pastaj vizitoi familjen Humolli, ku u prit nga nëna Sevdije, nëna e dy dëshmorëve, Elfetes dhe Mentorit, i cili ra dëshmor më 21 mars 1999 gjatë luftimeve në Koshare.
Risollën në kujtesë 1 shkurtin e vitit 1990, kur 33 vjet më parë, duke demonstruar për lirinë e Kosovës në fshatin Lupç i Poshtëm, Elfete Humolli, dy javë para ditëlindjes së 17-të, ra dëshmore e lirisë, e vrarë nga policia serbe. Atë ditë, ajo bashkë me mijëra demonstrues shqiptarë nga fshatrat e kësaj ane të Llapit po thërrisnin për demokraci, e përballë pushtetit të Serbisë po demonstronin për të drejta politike, për liri dhe kundër shtypjes nga regjimi serb.
Në demonstratën e 1 shkurtit 1990, policia serbe shtiu me breshëri në drejtim të demonstruesve duke goditur katër prej tyre: Elfete Humolli vdiq nga plagët në vend, kurse Eset Kaçiu, Ismet Krasniqi dhe Avni Retkoceri mbetën të plagosur.
Në kumtesën për media, bëhet e ditur se familjarët rrëfyen se atë ditë, Elfetja ishte agjërueshëm dhe para frymës së fundit kishte pyetur për vëllanë e saj 13 vjeçar Mentorin, nëse kishte shpëtuar.
Në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për t’u çliruar nga Serbia pushtuese, të ardhur nga dy rrugë të ndryshme, liria si destinacion i bashkoi motër dhe vëlla: Elfeten demonstruese për çlirim dhe Mentorin luftëtar të UÇK-së, që ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës, tha kryeministri Kurti.