Live

Kurti publikon fjalimin gati 5 mijë fjalësh, çka iu tha aktivistëve të VV-së?

16:53 / 25 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

4 mijë e 640 fjalë i ka pasur fjalimi i kryeministrit Albin Kurti, para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm. Kjo, të paktën është shifra që i ka dalë në formatin “Word Document” gazetares që shkroi këtë lajm. Çka i tha Kurti partisë?

Kryeministri Kurti para pak minutash e ka publikuar në rrjetin social Facebook fjalimin e tij të plotë, që duket të ketë qenë mjaft i gjatë.

Kurti në mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm, ka folur për dialogun, qeverisjen e tij, Serbinë, Astrit Deharin, Fan Nolin, Adem Demaçin e të tjera.

“Jo vetëm në vendin tonë, por as në rajon, nuk ka subjekte që mblidhen kaq shpesh me organin e saj më të lartë vendimmarrës. Jemi mbledhur në kohë të vështira, edhe të mira, do të vazhdojmë të mblidhemi rregullisht pavarësisht angazhimeve të tjera.” – ka thënë ai.

Kurti nuk foli gjatë për takimin me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë, me të cilin do të takohet në Bruksel më 27 shkurt, e ku ka pritshmëri të mëdha mund të arrihet një marrëveshje.

“Në raport me Serbinë kemi marrë pjesë në takimet në Bruksel sa herë që jemi ftuar. Kemi mirëpritur emisarët special nga perëndimi sa herë që kanë ardhur. Kemi qenë dhe e do të jem të përkushtuar, parimor, konstruktiv e kreativ. Dialogu në Bruksel është dialog për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve. Statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal, e status normal është ai i fqinjësisë së mirë evropiane. Pra, njohje reciproke si thelb dhe reciprocitetin si princip.” – ka thënë Kurti.

Në fjalimin e tij para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, Kurti i ka përmendur Adem Demaçin dhe Astrit Deharin, të cilët ndajnë të njëjtën ditë të lindjes (26 shkurtin).

“Dhe për shokun e aktivistin tonë të dashur, Astrit Dehari, viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur.” – tha Kurti në fjalimin e tij para anëtarëve të VV-së.

Kurti, në fjalën e tij, përmendi edhe Fan Nolin, poetin e shquar shqiptar, duke dërguar në një formë një mesazh në drejtim të Serbisë.

“Por dëshira e ukrainasëve për liri e demokraci, atdhedashura e tyre e pakufishme, solli edhe një herë në histori një shembull të fitores së Davidit mbi Goliatin. Ka shumë shembuj të tillë historia dhe një nga shembujt është ai i fitorës së Kosovës përball pushtuesit që i dukej vetja shumë i madh dikur dhe që endërron edhe sot të rikthejë madhështinë në kurriz të të tjerëve. Por siç ka thënë poeti i madh shqiptar, ish-kryeminsitër i Shqipërisë, peshkopi ortodoks Fan Stilian Noli: “i vogli e shtrin viganin dhe i shtypuri tiranin”. Edhe në Ukrainë në fund do të fitojë i vogli, sepse është i drejtë, dhe e drejta trimoëron më shumë se çdo armë” – tha ai.

Shpërndaje në

U Kopjua