Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë debatit që u zhvilluar sot në Kuvendin e Kosovës për dialogun me Serbinë, ka folur edhe për deklaratën e tij të shumë diskutuar të dhënë në intervistën për Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Kurti ka thënë se s’ka arsye që të dikush të befasohet se pse ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier ka më shumë informacione sesa kryeministri i Kosovës për një situatë konkrete të sigurisë, siç ishte para pak ditësh ajo në veri të Republikës së Kosovës.
Kurti këtë deklaratë të tij e cila s’u publikua në versionin final të intervistës, është munduar ta arsyetojë me atë se SHBA-ja ka Ambasada në Beograd dhe Prishtinë dhe gjithashtu në Kosovë ka edhe ushtri.
Kreu i Qeverisë madje thotë se është mirë që Ambasadori amerikan e ka ndarë një informacion të tillë me të si kryeministër, meqë një gjë e tillë dëshmon aleancën dhe partneritetin mes Kosovës dhe SHBA-së.
“Nuk besoj që ka arsye që askush të befasohet pse ambasadori amerikan në një situatë konkrete të sigurisë paska pas më shumë informacion se kryeministri. SHBA e ka ambasadën edhe në Serbi edhe në Kosovë, në Kosovë e kanë edhe ushtrinë. Pra nuk e di pse njerëzit shtiren të befasuar që paska pas më shumë informacion se unë. Dhe është shumë mirë, është dëshmi e aleancës dhe partneritetit tonë që atë informacion e ka ndarë me mu. Këtu s’ka asgjë negative dhe asgjë të befasishme”, ka thënë Kurti.
Edhe gazetari gjerman Michael Martens ka reaguar lidhur me debatin e zhvilluar në Kosovë rreth një deklarate të tillë të Kurtit, duke thënë se nuk e kupton pse befasohen njerëzit, meqë SHBA-ja ka kapacitete gjigante të inteligjencës.