Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me amabasdorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, takuan eurodeputetin bullgar, Andrey Kovatchev, nga grupi i Partisë Popullore Evropiane.
Kurti e Kovatchev folën për takimin e 18 marsit në Ohër mes Kosovës e Serbisë por edhe për pritjet e takimit.
“Në takim u diskutua mbi reformat e ndërmarra nga Qeveria dhe progresi i shënuar, rrugëtimin evropian dhe procesin e dialogut”.
“Kryeministri Kurti e njoftoi eurodeputetin Kovatchev me arritjet kryesore të qeverisë, e cila javën tjetër mbush plot dy vjet, duke veçuar sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit të reflektuara dhe në raportet e rankimet ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Ndërsa, bëhet e ditur se Kovatchev tha se heqja e vizave për Kosovën duhet të vazhdojë pa vonesa, teksa sipas tij, kanë mbetur edhe pak hapa deri në përfundimin e këtij procesi.
“Ai po ashtu dha mbështetjen e tij të plotë për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e qeverisë.