Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në takim me presidentin turk, Recep Tayip Erdogan ka diskutuar për raportet kosovaro-turke, për mënyrat se si mund të forcohen ato si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në ekonomi, tregti, siguri dhe mbrojtje.
Kurti ka bërë të ditur se bashkë me të në takim me presidentin turk, ishin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi dhe ish Kryetarin i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.
“Me ftesë të presidentit të Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, sot bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadorin e Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi dhe ish Kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ishim në një vizitë pune në qytetin historik të Stambollit. Përgjatë takimit dhe darkës së punës biseduam për raportet tona miqësore dhe për mënyrat sesi mund t’i thellojmë e forcojmë ato. Diskutuam edhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar dhe të sigurisë e mbrojtjes”, ka njoftuar Kurti.
Në një postim në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se e ka falënderuar Erdoganin për mbështetjen e pakursyer dhënë Kosovës si dhe për përkrahjen që po ia jep në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Këshill të Evropës.
“I jemi përherë mirënjohës Turqisë për mbështetjen e pakursyer në çdo etapë të ndërtimit të shtetit tonë e shumë fusha të zhvillimit të tij. Presidentin Erdogan e falënderova për mikpritjen e përzemërt dhe për përkrahjen e zëshme të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Këshillin e Evropës”, ka shkruar Kurti.