Live

Kurti u pajtua të shtyhen zgjedhjet, tash godet qeveritë e kaluara, bënin qeveri me kriminelë, nënshkruan që FSK të mos shkojë në veri

14:18 / 11 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, e cila u mbajt pas tensioneve në veri.

Kurti ka fajësuar Qeveritë e kaluara për gjendjen në veri, duke thënë se bënin marrëveshje me “kriminelë si Radoiçiqi dhe Veselinoviqi” dhe se nënshkruan marrëveshje që FSK-ja të mos dërgohej në veri.

“Me kriminelë si Radoçiqi dhe Veselenivoqi bëhej marrëveshje edhe për të formuar Qeverinë e Kosovës, edhe për të blerë qetësi në veri të vendit, ku pasi kishin nënshkruar se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të dërgohej atje, tolerohej kontrabanda, zgjedhjet e Serbisë, dinari serb, targat ilegale të Serbisë, mospagesa e taksave as lokale e as qendrore, mospagesa e furnizimin me ujë e energji. Kjo përbën mosushtrim të obligimeve kushtetuese dhe detyrimeve ligjore, andaj një situatë e tillë padyshim që është e papranueshme për një shtet demokratik, evropian e prosperues siç është Republika e Kosovës, ku sundimi i ligjit është i padiskutueshëm”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka folur edhe për shtyrjen e zbatimit të disa vendimeve, duke thënë se “çdo shtyrje i skadon afati”.

“Ne duam të veprojmë me kujdes, duke kuptuar ndjeshmërinë ndaj situatës. Këtë e kemi dëshmuar gjatë gjithë kohës. Në fakt për shkak të brishtësisë së situatës atje dhe partneritetit me miqtë tanë, partnerët tanë evropiane e amerikanë kemi toleruar shtyrje disa herë të zbatimit të vendimeve tona, por çdo shtyrje edhe i skadon afati. Ne nuk kemi hequr dorë nga asnjë vendim që kemi marrë sepse nuk mund te heqim dorë nga ligjshmëria, kushtetutshmëria e obligimet që i kemi për shkak të përgjegjësive që I kemi marrë. Paligjshmëria nuk do të durohet, nuk do të tolerohet në asnjë pjesë të vendit tone”, deklaroi Kurti, përcjell Express.

Ai ka pasur edhe një ftesë për serbët e Kosovës.

“Unë i ftoj të gjithë serbët në Kosovë që të punojnë bashkë me neve, të jetojnë bashkë me neve, të kuvendojnë bashkë me neve, të qeverisin bashkë me neve. Serbia dëshiron kthim në kohën e luftës kur ka kryer masakra e gjenocid në Kosovë. Ne dëshirojmë të ardhme demokratike, prosperuese e evropiane”, deklaroi Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua