I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak nesër do të jetë në Prishtinë për të zhvilluar një takim pasdite me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Po, takimi do të zhvillohet nesër pasdite”, ka thënë shkurt Kryeziu.
Lajçak do të qëndrojë të enjten dhe të premten në Prishtinë, për të udhëtuar më pas drejt Beogradit.
Ky takim i tij vjen dhjetë ditë pas atij të fundit të mbajtur në Bruksel me Shefin e Diplomacisë së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në takimin trepalësh të 27 shkurtit, Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar në Bruksel që të mos ketë diskutime shtesë në lidhje me propozimin e BE-së.
Kryeministri i Kosovës tha se ishte i gatshëm ta nënshkruante planin evropian, por nuk e bëri këtë për shkak se pala serbe nuk tregoi gatishmëri.
Takimi i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të mbahet më 18 mars në Ohër.
Lidhur me këtë takim, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka thënë se pret që palët të pajtohen për rrugën e implementimit të marrëveshjes së 27 shkurtit.
“Ne presim që palët të pajtohen për rrugën e implementimit dhe për këtë palët duhet të përgatiten për konstruktivitet për propozimet, bazuar në tekstin tonë. Kjo është ajo çka unë pres që të diskutojmë me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq gjatë vizitës sonë në Prishtinë dhe Beograd”, është shprehur Lajçak.