Lëvizja për Bashkim është shprehur kundër miratimit të planit të BE-së, i cili të hënën është pranuar zyrtarisht nga kryeministri Albin Kurti.
Kjo lëvizje ka bërë me dije se ky plan paraqet një të keqe të madhe dhe afatgjatë për Kosovën.
Përmes një komunikate për medie, LB-ja ka vlerësuar propozimi evropian largon edhe më tepër zgjidhjen në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Pas zyrtarizimit të të ashtuquajturit plan franko-gjerman, opinioni publik pati mundësi që ta shohë përmbajtjen e plotë dhe zyrtare të këtij propozimi. Në tërësinë e tij, ky propozim jo vetëm që nuk e trajton drejt problematikën në mes të Kosovës dhe Serbisë, por shkon edhe më tutje: plani e komplikon dhe kështu e vështirëson edhe më shumë zgjidhjen e problemeve reale të mbetura të pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë, si për nga mënyra e trajtimit të pavarësisë së Kosovës, ashtu edhe për faktin se propozon zgjerim të mëtutjeshëm të privilegjeve për serbët e Kosovës dhe forcon lidhjen legale të “komunitetit të vet-menaxhuar” me Serbinë”, është thënë në njoftimin e kësaj lëvizje.
LB-ja ia ka rikujtuar kryeministrit Kurti zotimet që i kishte dhënë më herët.
“Për të qenë edhe më e rëndë pesha e dëmit nga plani, edhe në pikën 10 të planit, por sidomos me pjesën e aneksit të planit (ende jozyrtare), Kosovës i kërkohet formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe! Është mjaft i çuditshëm dhe shumë i rrezikshëm fakti se kryeministri i Kosovës qenka pajtuar me këtë plan. Qytetarët me plot të drejt pyesin: ku mbetën 6 kushtet e kryeministrit tonë?! Ku mbeti njohja e Kosovës?! Ku mbeti reciprociteti në të drejta i veriut të Kosovës me Luginën?! Apo të gjitha këto janë vetëm për konsum të brendshëm e për manipulim të qytetarëve!? Lëvizja për Bashkim është pa dyshimin më të vogël kundër miratimit të këtij plani. Ky plan, – së bashku me asociacionin dhe autonominë për serbët, të kamufluar në brendësi të planit, – paraqet një të keqe të madhe dhe afatgjatë për Kosovën”, është thënë në njoftim.