Live

“Marrëveshja Kosovë-Serbi pritet të nënshkuhet brenda disa javësh”

19:59 / 21 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Ndërkombëtarët kanë intensifikuar takimet në Prishtinë e Beograd për gjetjen e një kompromisi, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

Takimi i radhës ndërmjet palëve pritet të mbahet me 27 shkurt në Bruksel.

Kryeministri Kurti është shprehur optimist se brenda këtij viti mund të kemi një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, tha për “Gazeta Blic” se brenda disa javëve mund të kemi një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.

“Mendoj se kësaj radhe është shumë serioze dhe do të arrihet një marrëveshje. Mendoj brenda disa javëve do të kemi një marrëveshje, ky është një supozim i imi” deklaroi Makolli për “Gazeta Blic”

Makolli tutje theksoi se angazhimi i madh i faktorit ndërkombëatr lidhur me këtë çështje tregon se situatën e kanë marrë shumë seriozisht.

“Krejt rrethanat dhe angazhimet e faktorit ndërkombëtar në veçanti SHBA-të tregojnë se situatën e kanë marrë shumë serizisht dhe janë të bashkuar i gjithë faktori ndërkombëtar që problemin mes Kosovës dhe Serbisë ta zgjidhin sa më shpejt shkaku i rrethanave ndërkombëtare e sidomos luftës në Ukrainë” deklaroi Makolli.
Vesel Makolli, Sekretar i Përgjithshëm i AKR-së

Edhe profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, e sheh pranverën e këtij viti si kohën kur pritet të nënshkruhet marrëvshja përfundimtare.

“Eshtë e pritshme që marrëveshja të jetë këtë pranverë. Të gjitha paralajmërimet janë që marrëveshja të jetë tani kështu që nuk ka arsye pse mos të ndodhë kjo ” tha shkurt Spahiu për “Gazeta Blic”
Nexhmedin Spahiu, Profesor

Kryeministri Kurti ditën e sotme ka folur në lidhje me takimin e datës 27 shkurt që do të mbahet në Bruksel.

Ai ka deklaruar se në takimin e së hënes nuk do të flitet për Asociacionin e komunave me shumice serbe.

Kurti ka thënë se nga ky takim presin të ketë diskutime të mëtutjeshme edhe të ecin mbi bazën e propozimit evropian.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, muaj më parë ka thënë se pranvera e hershme e vitit 2023 mund të jetë afati për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai pati deklaruar se propozimi për zgjidhjen përfundimtare është propozim evropian me përfshirjen dhe mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe Francës.

“Është produkt i përbashkët, është propozim evropian, me përfshirjen dhe mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe Francës. Jemi si ekip, punojmë bashkë, nuk ka konflikt mes nesh. Mund të ketë emra të ndryshëm në letër por ekipi po punon në unitetit, dhe vizita ime në Prishtinë dhe Beograd më 9 shtator i shoqëruar edhe nga zoti Jens Plettner dhe zoti Emmanuel Bonn ishte dëshmia më e mirë e këtij uniteti”, ka thënë Lajcak.

Shpërndaje në

U Kopjua