Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, të mërkurën e nominoi ligjvënësin republikan, Matt Gaetz, për prokuror të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, duke zgjedhur një aleat që është ballafaquar me shqyrtim nga Departamenti i Drejtësisë.
“Matt do t’i japë fund Qeverisë së bërë armë, do t’i mbrojë kufijtë tanë, do t’i çmontojë organizatat kriminale dhe do ta kthejë besimin e shpartalluar keq të amerikanëve në Departamentin e Drejtësisë” – tha Trumpi në deklaratën ku e njoftoi të nominuarin e tij. Emërimi duhet të konfirmohet nga Senati, ku shumicën e ulëseve e kanë republikanët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Përzgjedhja e një kongresisti 42-vjeçar që nuk ka punuar kurrë në Departamentin e Drejtësisë ose si prokuror në asnjë nivel qeveritar është vendimi më i ri i Trumpit për zgjedhjen e figurave me pak përvojë.
Gaetz-i dha dorëheqje nga Dhoma e Përfaqësuesve të mërkurën “me efekt të menjëhershëm”, u tha gazetarëve kryetari i këtij institucioni, Mike Johnson.
“Na zuri pak në befasi” – tha Johnson-i për dorëheqjen e ligjvënësit, duke shtuar se Gaetz-i e mori këtë vendim për ta filluar shpejt procesin e emërimit të një zëvendësuesi në atë që pritet të jetë përbërje me ndarje të ngushtë partiake në Dhomën e Përfaqësuesve.
Gaetz-i kishte luajtur rol instrumental në shkarkimin e ish-kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, më 2023, veprim që kishte nxitur kaos për disa javë në dhomën e ulët të Kongresit. Nominimi i tij për prokuror të Përgjithshëm u prit me skepticizëm të menjëhershëm nga disa republikanë të Senatit – organ që e ka kompetencën për ta konfirmuar ose mohuar nominimin e tij.