Live

Mbi 123 mijë të papunë në Kosovë

19:30 / 17 Dhjetor 2019

Nga Kosova Live

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë të vitit 2019.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pothuajse dy të tretat e popullsisë së Kosovës është në moshë pune, ku përfshihen moshat prej 15 deri në 64 vjeçare.

E dy të tretat e gjithsej popullsisë së Kosovës përbëjnë 1 milionë e 207 mijë e 617 persona nga numri i popullsisë kosovare që janë në moshë pune.

Prej tyre, rreth 505 mijë e 936 janë fuqi punëtore ndërsa 701 mijë e 681 apo 58.1 për qind nuk janë persona ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh.

Nga rreth 505 mijë veta që ishin aktivë në moshë pune, vetëm 382 mijë janë të punësuar, ndërsa të papunë ende mbeten edhe rreth 123 mijë e 902 persona, përcjell Buletini Ekonomik.

Ndërkohë, vetëm të rinjë nga mosha 15 deri në 24 vjeç llogariten 99 mijë e 111 veta, prej të cilëve mbi 50 mijë janë të punësuar, kurse edhe 48 mijë e 461 janë ende në kërkim të një pune.  

Ndonëse pritet që popullsia në moshë pune në Kosovë të rritet shpejt gjatë dekadës së ardhshme pasi Kosova është ndër vendet me popullsinë më të re në Evropë, papunësia vazhdimisht është në nivele të larta.

Ndërsa sa i përket raportit të punësimit ndaj popullsisë, shkalla e popullsisë joaktive për punë po del të jetë më e lartë sesa përqindja e të punësuarve në Kosovë, pasi siç e cekëm më lartë vetëm 31.6 për qind apo 382,035 persona janë të punësuar.

E përpos papunësisë, në tregun kosovar të punës ekzistojnë edhe dallime të mëdha gjinore.

Një në pesë (22.2%) femra në moshë pune janë aktive në tregun e punës, krahasuar me rreth tri të pestat (61.4 %) e meshkujve në moshë pune.

Në mesin e personave në fuqinë punëtore, papunësia është më e lartë për femrat se sa për meshkujt, pra 36.4 për qind papunësi të femrat krahasuar me 20.2 për qind te meshkujt.

Shkalla e punësimit në mesin e femrave në moshë pune është vetëm 14.1 për qind apo 13 mijë e 175 femra të punësuara krahasuar me 49.0 për qind për meshkujt apo në numër 37 mijë e 476 të punësuar.

Ndërsa të papuna numërohen mbi 20 mijë femra ende, kurse meshkuj mbi 28 mijë.

E kjo shkallë më e ulët e papunësisë te femrat, sipas ASK-së rrjedh nga kombinimi i pjesëmarrjes shumë të ulët në fuqinë punëtore dhe papunësisë së lartë.

Femrat ishin të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, të tregtisë dhe të shëndetësisë (52.3 % e femrave të punësuara).

Kurse, meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, duke punësuar 48.4 për qind të meshkujve të punësuar.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...