Live

Meta e përgëzon Kurtin “që kishte shkuar i përgatitur dhe konstruktiv” në Bruksel

15:35 / 28 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që kishte shkuar i përgatitur dhe konstruktiv për të dialoguar në Bruksel.

Sipas tij, mbrëmë në Bruksel ishte një mundësi e mirë për të hedhur një hap të qëndrueshëm e pozitiv drejt njohjes së ndërsjellë, paqes dhe integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë, transmeton Klan Kosova.

“Mbrëmë në Bruksel ishte një mundësi e mirë për të hedhur një hap të qëndrueshëm e pozitiv drejt njohjes së ndërsjellë, paqes dhe integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë”.

“Teksti zyrtar i marrëveshjes pati elemente që meritojnë vlerësim pozitiv, përderisa palët zotohen që të udhëhiqen nga synimet e parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, sidomos ato për barazinë sovrane të Shteteve, respektimin e Pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, si dhe të Drejtën për Vetëvendosje”.

“E përgëzoj kryeministrin e Kosovës, Kurti, që kishte shkuar i përgatitur dhe konstruktiv. Shpresoj që edhe Presidenti i Serbisë ta gjejë guximin e të nënshkruajë sa më shpejt, sepse koha kurrë nuk mund të kthehet pas”.

“E ardhmja e rajonit tonë nuk është te skemat dhe taktikat si puna e ‘Ballkanit të Hapur’, as te “tërheqjet e veshëve” por te marrëveshjet e drejta, transparente, që konkretizojnë integrimin evropian dhe i hapin rrugën fqinjësisë së mirë, ku asnjë fqinj nuk e dominon tjetrin”.

Shpërndaje në

U Kopjua