Live

Miftaraj: Njohja de-facto e Kosovës nuk u përmend nga Borrelli

22:45 / 27 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit të së hënës në Bruksel, nuk e përmendi njohjen de-facto të Kosovës.

“Dy pikat kritike të cilat qytetarët por edhe partia në pushtet, e cila ka lobuar më së shumti për të mos ndodhur ishin kryesoret, që në bazë të asaj çfarë tha zotëri Borrell, Kosova së bashku me Serbinë kanë marrë përsipër të zbatojnë 33 marrëveshjet e arritura deri më tani, për të cilat duhet të ketë diskutime shtesë sa i përket modaliteteve të këtyre marrëveshjeve në praktikë, varësisht nëse Asociacioni do të jetë marrëveshja e parë ose e 33-të, duke përfshirë edhe obligimet e Kosovës në lidhje me të drejtat e Kishës Ortodokse Serbe”, tha Miftaraj në KTV.

Miftaraj theksoi se pikën kryesore në lidhje me njohjen de-facto që është proklamuar në vazhdimësi, Borrell nuk e përmendi në asnjë rrethanë.

Ai shtoi se pika kritike e Republikës së Kosovës ka qenë që nëse kërkesa për njohjen në qendër është e pamundur, së paku Serbia të obligohej që të mos pengojë Kosovën në pranimin në organizata ndërkombëtare, duke shtuar se kjo pikë nuk u përmend në deklarimin e Borrellit.
“Nëse kjo nuk është pjesë e marrëveshjes për të cilën janë pajtuar sot, jo vetëm që nuk kemi njohje në qendër de-jure, por mungon edhe njohja de-facto. Në bazë të asaj që ka deklaruar Vuçiq pas takimit. Ai në njëfarë mënyre e kundërshtoi këtë marrëveshje, ku sipas tij nuk është se kanë arritur marrëveshje, vetëm janë pajtuar të vazhdojmë të diskutojnë në të ardhmen, ku sipas tij në qendër duhet të jetë obligimi i Kosovës për themelimin e Asociacionit”, tha Miftaraj.

Shpërndaje në

U Kopjua