Qytetarët e Kosovës kanë shprehur pakënaqësi ditëve të fundit për shkak të rritjes së tatimit në pronë.
Vlera e saj është rritur 50 për qind që nga 1 janari i këtij viti, shkruan Kosovalive.net
Për t’a bërë sa më të qartë për qytetarët se e kanë të vështirë të hulumtojnë bazën ligjore të hulumtojnë këtë temë, për Kosovalive.net, ka folur drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.
“Është e vërtetë që komunat nuk e kanë rritur tatimin në pronë sepse vlera e njëjtë është në qytetet e ndryshme, pra nëse e marrim për bazë Prishtinën është që ka mbetur 0.15 % vlera e tatimit në pronë, do të thotë për pronën e paluajtshme që e kanë qytetarët e Prishtinës ose qytetarët e Kosovës. Nga ana tjetër është se Ministria e Financave fatkeqësisht pa asnjë konsultim publik, pa analiza të duhura me të gjitha grupet e interesit ka vendosur që nga 1 janari i vitit 2023, që të zbatoj ligjin dhe të rris vlerën e patundshmërive në Kosovë, me fjalë të tjera pra, nëse një banesë është vlerësuar deri më 31 dhjetor 40 mijë euro, nga 1 janari i këtij viti e njëjta ka marr vlerësimin 100 mijë apo 120 mijë euro e më shumë”, ka thënë Miftaraj.
Miftaraj, ka thënë se Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës e kanë zbatuar ligjin në aspektin juridik por duhet të ndiqen disa procedura dhe kërkohet që të ketë konsultim publik.
“Në aspektin juridik mund të themi që Ministria e Financave dhe Qeveria vetëm e kanë zbatuar ligjin, por edhe kur qeveri dhe Ministria e Financave e zbatojnë ligjin, atëherë janë disa procedura që duhet te ndiqen. Proceduara e parë duhet që për vendimet e tilla ku kanë ndikime financiare, zingjirë prej qytetarit, biznesit e grupeve të tjera të interesit kërkohet që të ketë konsultime publike”, ka thënë ai.
Konsultimi publik është një rregullore që është e miratuar nga qeveria e Kosovës, e cila obligon Ministrinë e Financave, Qeverinë dhe gjithë institucionet publike që para se të marrin vendime që prekin interesin e qytetarit, duhet të marrin mendime e komente dhe sugjerime të grupeve të interesit, e për ketë sipas drejtorit të institutit të IKD’së, Ehat Miftaraj, nuk ka ndodhur.
“Kjo nuk ka ndodhu, dhe është e pakuptimtë që qeveria të mos zhvilloj as kampanja vetëdijësuese apo kampanja informuese. Nëse Qeveria e Kosovës ka vendosur t’a marr një vendim të tillë, është dashur që t’i informoj qytetarët se nga 1 janari se do të rritet vlera e patundshmërive dhe me këtë do të rritet edhe tatimi në pronë automatikisht”, ka thënë Miftaraj.
Miftaraj: Ministria e Financave është dashur t’a shtyje për 1 ose 2 vite këtë vendim për shkak të gjendjes ekonomike të qytetarëve.
“Është në diskrecion të Ministrisë së Financave sepse ka mundur se në bazë të rrethanave ekonomike e gjendjes ekonomike, inflacionit, jetës së rënduar të qytetarëve kanë mundur që ta shtyjnë këtë për 1 vit apo 2 vite, sikurse an mundur që bëjë vlerësim më të vogël të pronave, por lidhur me këtë Ministria e Financave dhe qeveria do të duhej të kenë më shumë informacione”.
Ai thotë se Ministria e Financave ka dështuar të hap një konsultim publik të tillë që prek gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës
“Tatimin në pronë e cakton komuna dhe kjo është e vërtetë, por tatimi në pronë që caktohet nga komunat, do të thotë se në bazë të vlerës që e bënë Ministria e Financave që në këtë rast është qeveria, e kur rritet vlera e tatimit të patundshmërive automatikisht rritet edhe tatimi në pronë. Ministria e Financave ka dështuar të hap një konsultim publik të tillë që prek gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, dhe prek të gjitha bizneset. Qeveria ka dështuar që të marr komente nga qytetarët e grupet e interesit dhe nga bizneset, qeveria ka dështuar që t’i informoj qytetarët nga 1 janari i vitit 2023 se do të ketë rritje të vlerës së pronave e me këtë edhe rritje të tatim në pronë”, thotë ai.
Miftaraj ka bërë të ditur që do të duhej të hapej debat publik nga qershori i vitit të kaluar.
“Pra, do të duhej që të hapej debat publik, do të duhet që nga qershori i vitit të kaluar të ketë anketa me qytetarët, të ketë anketa me biznese, me grupe të bizneseve që qeveria të hapte debat e vendimet të tilla nuk merren natën”,
Në fund, ai ka shtuar se kjo qeveri ka dështuar t’i zbatoj dy parime, parimin e qeverisjes së mirë dhe parimin e sundimit të ligjit, këto dy parime që nuk janë zbatuar ne rastin e procesit të vendimmarrjes për rritjen e vlerës së patundshmërive, pastaj i kemi këto reagime e këto pasoja zingjirë./Kosovalive.net/