Live

Ministria e Mbrojtjes i jep tender milionësh kompanisë “Beni Dona” që akuzohej se i kishte dhënë ushqim me afat të skaduar Njesisë Speciale

11:27 / 06 Prill 2023

Nga Kosova Live

Dhënia e tenderëve me negocim është nga procedurat më pak të preferuara.

Kjo për shkak se mundësitë për të bërë korrupsion janë shumë më të mëdha pasi s’bëhet publikimi i njoftimi të kontratës, shkruan kosovalive.net

Kjo lloj procedure po përdoret shumë nga Qeveria Kurti.

Së fundmi Ministria e Mbrojtjes ka dhënë një tender me negocim kompanisë “Beni Dona”.

“Beni Dona Plast SHPK” ka fituar tenderin për ’ Shërbimin me ushqim ( furnizimi, përgatitja dhe servimi) për nevojat emergjente për të gjithë kuzhinat të FSK-së ‘’.

Vlera e kësaj kontrate është 2 milionë e 142 mijë e 400 euro dhe vlen për 6 muaj.

Skandalet e raportuara të kompanisë “Beni Dona”

Mediat vitet e fundit kanë raportuar në lidhje me disa skandale të kompanisë “Beni Dona”.

Mediumi “KTV” vitin e kaluar kishte raportuar se “Beni Dona” ka furnizuar Njësinë Speciale me suhqim pa afat.

Kompania “Beni Dona”, që furnizon me ushqim njësinë elite të Policisë së Kosovës, dyshohet se u ka dërguar atyre ushqime me afat të skaduar. Denoncimin bëhet e ditur se e kanë bërë vetë efektivët e Njësisë Speciale për Intervenim, ndërsa është publikuar në raportin e shpejtë të hetuesisë, të cilin e ka siguruar KOHA.

“Më datë 6.9.2022, në orën 17:50, hetuesit rajonalë kanë pranuar informatë se NJSI-ja me bazë në Kampin Belveder, në Lagjen e Bairit në Mitrovicë, ka një ankesë për furnizuesin e ushqimit të tyre, kompaninë Beni Dona SHPK”, thuhet në dokument.

Sipas raportit, hetuesit kanë shkuar në Njësinë Speciale dhe kanë fotografuar produktet ushqimore që dyshohet se u ka skaduar afati rreth një muaj më parë.

Në vitin 2021, në media raportohej se “Beni Dona” ishte nën hetime për falsifikim të dokumenteve të cilësisë së ushqimit.

Atë kohë, raportohej se kjo kompani nuk kishte marrë dokumentat për licensim nga nga një kompani gjermane.

KONTRATA E PLOTË:

Shpërndaje në

U Kopjua