Live

Miratohet Projektligji për Pagat, opozita kërkon ndryshime në mes dy leximeve

19:22 / 09 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në lexim të parë projektligji për pagat në sektorin publik. Pozitë e opozitë kanë qenë pro projektligjit, megjithatë, partitë opozitare kanë kërkuar që të bëhen ndryshime në mes dy leximeve. Të njëjtit kanë pasur kritika për rangimet dhe përcaktimet e koeficienteve. Madje, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se askush nga të punësuarit e sektorit publik nuk e dinë vlerën e pagës me këtë projektligj.

Kryetari i Komisionit të Administratës Publike, Valon Ramadani ka rekomanduar miratimin e projektligjit për pagat në sektorin publik. Ai në emër të LVV-së, ka thënë se që nga paslufta nuk është arritur që të zgjidhet çështja e pagave në sektorin publik.

“Nevoja për një ligj të tillë është e madhe. Prandaj, ne si komision për Administratë Publike e proceduam me dakordim të plot këtë ligj. Dhe dëshiroj ta nis këtë fjalim duke falënderuar të gjithë anëtarët e komisionit pa dallim partie, sepse të gjithë u treguan bashkëpunues dhe votuan këtë ligj të propozuar nga qeveria”, ka thënë Ramadani.

Ndërkaq, deputeti Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se ky projektligj ka nevojë për ndryshime, por që do ta përkrahin në lexim të parë. Ai ka kritikuar përcaktimin e koeficienteve të të punësuarve në sektorin publik.

“Në komision e kemi përkrahur projektligjin e pagave, me bindje se do të arrijmë të evidentojmë shumë paqartësi gjatë periudhës mes dy leximeve dhe ligji të arrij të sigurojë përkrahjen e duhur për të punësuarit në institucionet publike. Kemi përkrahur me qëllim të mirë, sepse sistemi i pagave është dashur shumë më herët të rregullohet, por duke parë që deri më tani partia në pushtet nuk e përkrahi bash asgjë që ne opozita propozojmë, vështirë që të bëjmë edhe ndërhyrjet e domosdoshme edhe në këtë rregullim. Prandaj, menduam që të mbështesim në lexim të parë”, u shpreh Lushtaku.

E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu tha se është vonuar sjellja e kësaj nisme ligjore para deputetëve.

“Unë jam i bindur që edhe ky propozim është në kundërshtim me parimet e sistemit të pagave, me parimin e ligjshmërisë, transparencës, e para-shikueshmërisë dhe barazisë dhe mos-diskriminimit. Raporti i koeficienteve në ligj thuhet se është 2 me 18, i shpërndarë në 136 nivele, projektligji e parasheh që paga të rritet në bazë të përvojës me shkallëzim deri në 15 vjet përvojë punë me 0-25 dhe 0,5 për të qenë çdo vit mbi 15 vite. Unë këtë nuk e kam të qartë, pse bëhet ky shkallëzim… Kërkoj që ky ligj të plotësohet dhe pastaj të shohim më tutje”, ka deklaruar Veliu.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se projektligji për pagat në sektorin publik po shqyrtohet pas 22 muajve. Ai tha se me këtë projektligj po bëhet rangimi i koeficienteve, por askush nuk e dinë sa e ka pagën.

“Zyrtarët publikë janë mashtruar, janë mbajtur nën ethe tash e 22 muaj duke qenë të privuar nga trajtimi dinjitoz, në veçanti në krizën që kanë kaluar në vitin që shkoi. Megjithatë, si dikush që ka punuar gjatë në ligjin e kaluar, unë e mirëpres këtë ligj që ka ardhur në kuvend. Dhe mendoj që ligji duhet të kalojë, por duhet pësojë disa ndryshime serioze…Konjufca: Qysh ishte pyetja edhe një herë Besnik, qysh sa e ka pagën? Kryetar, ky është ligji i pagave, asnjë zyrtarë i vetëm me këtë ligj nuk e dinë sa e ka rrogën. Do të thotë e dinë deri diku, por nuk ka logjik o koleg, ne po trajtojmë një ligj i cili e ka emrin ligji i pagave dhe askush nuk e dinë sa e ka rrogën. Konjufca: Ti po donë me thonë që është dashur të ketë emrin ligji i koeficentëve a? Ma more fjalën, ky është ligji i rangimit të koeficientëve që po e miratojmë”, kanë thënë ata.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...