Live

Molliqaj: Protestën tonë e përkrahin qytetarë, opinionistë, NISMA e OVL-të – qeveria të rilegjitimohet

16:15 / 24 Mars 2023

Nga Kosova Live

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, një ditë përpara protestës së thirrur nga kjo parti ka thënë se një javë pas marrëveshjes së Ohrit, ajo që mund të konstatohet është se ka një marrëveshje që sipas tij është pa mbështetje politike, pa legjitimitet e me shumë kundërshtim popullor.

Molliqaj tha se ajo që tashmë dihet është se nga kjo marrëveshje s’do të ketë njohje nga pesë vendet anëtare të BE-së që s’e njohin Kosovën, s’ka premtim ndërkombëtar në NATO, s’ka njohje nga Serbia e ka veç obligime për Kosovën.

“Ajo që mund të shihet është që qytetarët, partitë politike, opinionistët janë kundër kësaj marrëveshjeje. Në muajin mars, nga matjet e opinionit publik, mbi 75 për qind e qytetarëve janë kundër këtyre marrëveshjeve, e në veçanti qendrës së saj, Asociacionit”, është shprehur Molliqaj.

Tutje, ai i bëri thirrje qeverisë që të rilegjitmohet, duke kërkuar kështu zgjedhje të reja, si shkak i zhvillimeve të ndodhura.

“Kosova me këtë marrëveshje do të ketë Asociacion. Rreziku i saj është që do të ketë autonomi për veriun, prandaj besojmë që është jashtëzakonisht jetike që kjo qeveri të ndalet në këtë drejtim, të detyrohet nga presioni qytetar dhe edhe një herë të rilegjitimohen forcat politike karshi zhvillimeve që kanë ndodhur”.

“Protestën tonë e ka mbështetur NISMA për Kosovën, e ka mbështetur OVL-të, shumë gazetarë, opinionistë, politikanë. Protesta do të nisë nga ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajatazi”, ndërsa bina do të jetë e vendosur në oborrin e qeverisë. Pra, ky është skenari”, tha Molliqaj.

Shpërndaje në

U Kopjua