Live

Mos zëvendësimi i orëve, MAShT paralajmëron komunat për shkelje ligjore 

20:00 / 23 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës, të shtunëve po konsiderohet i dështuar. Në disa shkolla po mbahet mësim, por në shumicën e shkollave jo.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në një përgjigje për Indeksonline, përgjegjësinë për mbarëvajtjen e procesit mësimor ia lë komunave.

Sipas tyre, “është përgjegjësi e komunave që të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe të dërgojnë raporte të rregullta sa i përket mbajtjes ose mosmbajtjes së mësimit”.

Në të kundërtën, MAShT thotë se “komunat bëjnë shkelje ligjore”.

Sa i përket pjesëmarrjes së nxënësve në mësim Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se “bazuar në të dhënat e Inspektoratit të Arsimit, në dy të shtunat e fundit pjesëmarrja e nxënësve në mësim ka qenë më e madhe së në fillim”.

MAShT pret që në ditët e ardhshme të ketë pjesëmarrje edhe më të madhe të nxënësve në procesin mësimor.

“Presim që në ditët e ardhshme të kemi pjesëmarrje edhe më të madhe të nxënësve në procesin mësimor. Në mënyrë që fëmijët të mos jenë të stërngarkuar kemi vendosur që mësimi të mbahet në dy të shtuna në muaj.

Kalendari shkollor duhet të respektohet, kjo është në interesin e vet fëmijëve. Siç jeni në dijeni, humbjet për shkak të grevës kanë qenë shumë të mëdha andaj duhet të kompensohen”, thonë nga ministria.

Shpërndaje në

U Kopjua