Live

MPJ gjermane: Të mos përshkallëzohet situata në Veri, presim kompromise

13:11 / 08 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Gjermania është shprehur e shqetësuar për përshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës

Pas zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës dhe tërheqjes së serbëve nga institucionet vendore, ka reaguar Ministria e Jashtme gjermane, duke kërkuar zgjidhje përfundimtare të problemeve midis dy shteteve fqinje, Kosovë-Serbi, përmes dialogut.

Në një konferencë për media, zëvendëszëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane, Andrea Sasse, ka thënë se Gjermania po shqetësohet për përshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës.

“Jemi shumë të shqetësuar për përshkallëzimin e situatës”, ka thënë Sasse, teksa theksoi domosdoshmërinë e rezultateve në dialogun Kosovë-Serbi, shkruan DW.

“E kemi thënë shpesh që këtu se për Ballkanin Perëndimor, por sidomos për raportin mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të largohemi nga vështrimi periodik në humnerën e skadimit të afateve. Sepse edhe ky është një afat i tillë. Tani priten kompromise”.

Ajo ka potencuar se Gjermania u kërkon urgjentisht të dyja palëve që të shmangen nga tensionimi i situatës.

“Apeli ynë urgjent u drejtohet të dyja palëve në konflikt, Kosovës dhe Serbisë, që të përmbahen e të mos e përshkallëzojnë më tej situatën dhe që ta zgjidhin këtë konflikt realisht në dialog të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën”.

Ndryshe, sheshi dhe pjesë të tjera të qytetit të Mitrovicës së Veriut, të premten vonë të katër nëntorit janë ‘stolisur’ me flamuj të Serbisë.

Ky veprim simbolik është ndërmarrë para protestës të thirrur për të dielën nga ana e Listës Serbe, pas shkarkimit të shefit të Policisë së Kosovës për regjionin e Mitrovicës së Veriut.

Lista Serbe, e cila është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka vendosur të shtunën që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.

Pas vendimit të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan – dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri. Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Gjuriq ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për rirgjestrimin e automjeteve që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS.

Shpërndaje në

U Kopjua