Politikani i burgosur i opozitës ruse, Aleksei Navalny, ka thënë se humbja ushtarake e Moskës në Ukrainë është “e pashmangshme”, edhe nëse Kremlini dërgon më shumë trupa në betejë.
Navalny, 46-vjeçar, është duke vuajtur një dënim nëntëvjeçar për shkak të akuzave për përvetësim, të cilin mbështetësit e tij e shohin si ndëshkim për sfidim të Kremlinit.
Në një deklaratë të lëshuar pak para përvjetorit të parë të luftës së Rusisë në Ukrainë, Navalny ka thënë se Ukraina duhet ta caktojë vetë fatin e vet dhe se Rusia duhet të respektojë kufijtë e vitit 1991.
“Jetët e dhjetëra mijëra ushtarëve rusë janë shkatërruar pa kuptim”, ka thënë Navalny në deklaratën që e ka konsideruar “platformë politike”.
“Humbja ushtarake përfundimtare mund të vonohet duke iu kushtuar me jetë qindra mijëra rezervistëve shtesë, mirëpo humbja e plotë është e pashmangshme”.
Navalny ka përmendur po ashtu se “dhjetëra mijëra ukrainas të pafajshëm” janë vrarë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, 70-vjeçar ka dëshiruar të qëndrojë në pushtet “me çfarëdo çmimi”.
Ai ka deklaruar mes tjerash se Moska duhet “ta lërë Ukrainën rehat” dhe të paguajë për dëmet e luftës, kur të përfundojë konflikti.
Përveç tjerash, Navalny ka thënë se Rusisë i duhet një republikë parlamentare, në mënyrë që të shpërbehet “diktatura” e Putinit dhe që të mbahen zgjedhjet e lira.
Navalny është helmuar me agjent nervor Noviçok më 2020. Ai ka mbijetuar me shumë vështirësi, derisa e ka akuzuar Putinin se ka qëndruar mbrapa sulmit.
Navalny është trajtuar në Gjermani pas helmimit, ndërsa kur është kthyer në Rusi, në janar të vitit 2021, është arrestuar në aeroportin e Moskës.