Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të avancojnë në procesin e dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.
Deklaratat erdhën gjatë një debati të zhvilluar në komision lidhur me raportet për Kosovën dhe Serbinë të hartuara respektivisht nga Viola Von Cramon dhe Vladimir Bilçik . Raportuesja për Kosovën, Von Cramon, vlerësoi arritjet e Kosovës në rrugën drejt demokracisë, por kërkoi më shumë përpjekje në fushën e gjyqësorit. Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, Von Cramon ka deklaruar se kjo çështje varet nga reformat e brendshme, por edhe nga dialogu me Serbinë.
“Kosova ka bërë një rrugë të madhe drejt demokracisë dhe përkundër polarizimit politik që ekziston kohëve të fundit në Kosovë, ky vend ka ecur para disa vendeve të rajonit në arritjen e standardeve të demokracisë. Dialogu me Serbinë kërkon lidership dhe përkushtim të qartë, dhe nuk duam që Kosova të shihet si palë që është më pak konstruktive në dialog”.
Në tekst bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Deputeti austriak nga radhët e grupit të Partisë Popullore Evropiane, Lukas Mandle, tha se propozimi i BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, është “një njohje de facto, dhe diçka që është vonuar”.
Parlamenti Evropian përsërit edhe kësaj here thirrjen për njohjen e Kosovës si shtet sovran nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që akoma nuk e kanë bërë një hap të tillë. Në debatin për Serbinë shumë deputetë kanë përsëritur kritikat për mungesën e përparimit në përshtatjen e politikave të këtij shteti me ato të BE-së për sanksionimin e Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë./A2news