Live

Në qeverinë e PDK-së nuk do të kenë vend të korruptuarit, thotë Veseli

20:54 / 09 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë se në qeverinë të cilën do ta drejtojë pas zgjedhjeve nuk do të ketë vend për njërëzit e korruptuar.

“Nuk do të hyja në asnjë variant tjetër, për faktin se në sfidat që i ka Kosova para vetes në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit të cilën e kam filluar dhe do ta qoj deri në fund në katër vitet e ardhshme të qeverisë së udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës, por edhe në sfidat euro atlantike që i ka Kosova, duhet të ketë një legjitimitet i cili duhet të vije nga vota e qytetarëve. Patëm disa kryeministra të cilët nuk e patën atë legjitimitetin të cilin do të duhej ta kishin nga qytetarët. Ne ju kemi dhënë përkrahje si PDK por na lanë në gjysmë. Kështu që zgjedhjet janë një moment i artë për të vendosur qytetarët”, tha Veseli.

Këto komente Veseli i bëri gjatë një interviste në RTV 21, ku ka shtuar se partia që drejton dy herë ua ka dhënë të tjerëve pozitën e kryeministrit por asnjëri nuk ka mundur ta coj deri në fund asnjë proces. Prandaj,ka thënë Veseli, zgjedhjet janë të pashmangshme.

“Që nga dita e parë e dorëheqjes së kryeministrit e kam thënë se zgjedhjet janë të pashmangshme, janë opsion që u ofron qytetarëve një mundësi të mirë. Në mënyrë të veçantë rinisë novatore, që të kemi një qeverisje në luftë kundër korrupsionit, nepotizmit, që t’i hapim një perspektivë Kosovës në rrugëtimin tonë euroatlantik. Zgjedhjet janë të pashmangshme dhe askush nuk duhet t’i frikësohet vullnetit të qytetarëve dhe ky do të jetë qëndrimi ynë”, ka thënë lideri i PDK-së.

Shpërndaje në

U Kopjua