Live

Nis takimi i Osmanit me partitë politike, merr pjesë edhe kryeministri Kurti

15:06 / 10 Dhjetor 2022

Nga admin

Filloi takimi i Presidentes Vjosa Osmani me përfaqësuesit e partive politike, për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Në takimin me Osmanin po marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, Imri Ahamti nga LDK, Vlora Çitaku prej PDK-së, si dhe përfaqësues të komuniteteve.

Pro shtyrjes së zgjedhjeve në veri u shpreh Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila nuk shkoi në takim te Osmani.

Zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili, deklaroi për KosovaPress se qëndrimi i tyre tashmë dihet dhe nuk e shohin të nevojshme të shkojnë në takim.

“Qëndrimi i AAK-së për zgjedhjet në veri është që ato të shtyhen sepse kemi vlerësuar se nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre. Këtë qëndrim e kemi bërë publik tash e sa ditë. Duke pasur parasysh këtë qëndrim, nuk e vlerësojmë të nevojshme pjesëmarrjen e AAK-së në takim me Presidenten”, u shpreh Xhemaili.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sot u shpreh i gatshëm të organizojë zgjedhjet në katër komunat veriore të vendit të parapara të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor. Në mbledhjen e së shtunës, u certifikuan edhe 14 kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvend Komunal të Leposaviqit.

Shpërndaje në

U Kopjua