Trafikimi i lëndëve narkotike vazhdon të mbetet ndër sfidat më serioze për institucionet e rendit në Kosovë. Kjo veçanërisht në kryeqytet, ku aktivitetet ilegale shpesh zhvillohen në mënyrë të kamufluar, por jo gjithmonë pa u kapur nga organet e hetuesisë.
Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, pas zhvillimit të operacioneve të mirëkoordinuara hetimore, ka siguruar informacione të mjaftueshme për përfshirjen e disa personave në trafikim me lëndë narkotike. Bazuar në këto të dhëna, Policia ka aplikuar për masa të veçanta të hetimit, të cilat janë aprovuar nga organet kompetente të drejtësisë.
Më 30 prill 2025, rreth mesditës, Policia e Kosovës ka ndërmarrë aksionin e koduar ‘Dritarja’, që rezultoi me arrestimin e disa personave dhe sekuestrimin e sasisë së konsiderueshme të kokainës dhe provave të tjera të dyshuara.
Fillimisht, është arrestuar i dyshuari A.A. (1983), të cilit gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar 0.44 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë.
Hetuesit e DHTN-së, të mbështetur nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, kanë vazhduar me bastisje në një shtëpi, ku janë gjetur: Rreth 56.9 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë, sasi parash në euro dhe në valuta të huaja, si dhe dëshmi të tjera relevante që do të përdoren në procedurat gjyqësore.
Në një lokacion tjetër, Policia ka sekuestruar: 10.8 gramë substancë narkotike (dyshohet kokainë), dy peshore digjitale, dhe nëntë fishekë.
Në këtë operacion janë arrestuar edhe dy persona të tjerë: K.A. (viti i lindjes 2000) dhe S.S. (viti i lindjes 1971).
Ndërkohë, një tjetër i dyshuar është në arrati dhe po kërkohet nga autoritetet.
Pas intervistimit në stacion policor, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy nga të dyshuarit – K.A. dhe S.S. – janë dërguar në mbajtje.